Connect with us

Politike

Në Shqipëri po shfaqet një fashizëm i ri/ Erion Braçe shpërthen pas sulmeve ndaj deputetëve

Një ditë pas sulmit verbal dhe përplasjes me disa protestuese ndaj deputetes Iris Luarasi, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si shfaqje të një “fashizmi të ri” në Shqipëri.

Braçe tha se sulmet nuk janë kufizuar vetëm te rasti i Luarasit, por, sipas tij, kanë prekur edhe deputete të tjera. Ai pretendoi se ato janë ndaluar me forcë teksa po dilnin nga parkimi i qendrave tregtare “Toptani”, duke iu kufizuar liria e lëvizjes dhe duke u dëmtuar edhe automjetet.

Braçe u ndal veçanërisht te mesazhet drejtuar deputeteve se kanë bërë një “zgjedhje të gabuar historike”, duke e cilësuar këtë si një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së zgjedhjes politike.

Sipas tij, në një vend demokratik, bindjet politike janë zgjedhje individuale dhe nuk mund të përcaktohen nga kundërshtarët politikë apo protestuesit.

“Zgjedhja ime politike është zgjedhja ime dhe unë jetoj në një vend të lirë ku duhet të zgjedh vetë pozicionin tim”, deklaroi Braçe, duke shtuar se askush nuk mund t’i diktojë se cilin pozicion politik duhet të mbajë.

Deputeti socialist e lidhi këtë situatë me atë që ai e konsideron si shfaqjen graduale të “fashizmit të ri”, duke argumentuar se ai nuk shfaqet domosdoshmërisht përmes dhunës fizike apo armëve, por edhe përmes presionit, linçimit dhe përpjekjes për t’u mohuar individëve të drejtën për të zgjedhur.

Braçe kritikoi edhe forcën e tij politike për reagimin e vonuar ndaj këtyre episodeve, duke thënë se Partia Socialiste është kujtuar vetëm së fundmi për të reaguar.

Në përfundim, ai paralajmëroi se fenomeni duhet marrë seriozisht, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për “shenjat e para të një fashizmi që cenon drejtpërdrejt lirinë e zgjedhjes individuale” dhe që mund të shkojë deri në linçimin e individëve për shkak të bindjeve të tyre politike.

Advertisement