Thinking ...
Connect with us

Politike

Nga Kosova në Nju Jork/ Prefekti i Tiranës nga Times Square: Liri për çlirimtarët!

Pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, një protestë e shqiptarëve është zhvilluar në Times Square të Nju Jorkut.

Sipas një reagimi të publikuar nga prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, pjesëmarrës të diasporës shqiptare u mblodhën për të shprehur mbështetjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite burgim në shkallën e parë.

Hajdari publikoi në rrjetet sociale fotografi nga protesta dhe e cilësoi tubimin si një shprehje të mbështetjes së diasporës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, pjesëmarrësit u bashkuan pavarësisht prejardhjes së tyre nga treva të ndryshme shqiptare.

Në reagimin e tij, Hajdari shprehet se shqiptarët i bashkon historia e Kosovës dhe vlerësimi për ata që, sipas tij, kanë kontribuar në luftën për lirinë e saj. Ai thekson gjithashtu se diaspora shqiptare do të vijojë të mbajë qëndrimin e saj në favor të drejtësisë dhe dinjitetit.

Postimi i plotë:

Në Manhattan, në Times Square!

TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!

Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht.

Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.

Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës.

Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb.

LIRI, DREJTËSI, DINJITET!

Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët”, shkruan Hajdari.

Advertisement