Connect with us

Kosova

“Nuk po trajtohemi siç duhet”, qindra ankesa të pacientëve për mjekët në Kosovë

Mungesë vëmendjeje e kujdesi, vonesa në diagnostikim e pritje të gjata në korridore… Ankesa si këto e të ngjashme ndanë me Radion Evropa e Lirë disa pacientë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. REL-i ishte edhe vetë dëshmitar kur në një prej sallave të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, një punonjës shëndetësor, teksa i ofronte shërbimin e fizioterapisë një pacienteje, në njërën dorë mbante edhe telefonin.

Me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, mjeku, në çdo rrethanë, “duhet t’ia kushtojë të sëmurit kohën e nevojshme, jo vetëm për ta diagnostikuar dhe mjekuar në mënyrë të përshtatshme, por edhe për ta asistuar dhe për t’ia lehtësuar vuajtjen”. Në Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve thonë se pranojnë me qindra ankesa në vit, por se “trajtimi i tyre çalon”.

Oda e Mjekëve, në anën tjetër, thotë se ankesat trajtohen dhe zgjidhen në bazë të ligjeve në fuqi. Nazmi Mulaku, edhe pse ndjen se bashkëshortes së tij nuk i është ofruar trajtim i duhur as në Spitalin e Pejës, as në QKUK, nuk ka bërë ankesë – së paku “jo deri më tash”. Thotë se janë ende në procedura të diagnostikimit dhe se duhet të presin. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mulaku, banor i komunës së Istogut, thotë se mjekët në Pejë nuk kanë arritur ta përcaktojnë diagnozën e bashkëshortes, përkundër disa kontrolleve të njëpasnjëshme. Në javën e fundit të shkurtit, çifti u drejtua në QKUK.

“Më është dashur të gjej dikë për të ndërhyrë, që ta pranonin [gruan] në spital”, thotë i shoqi.

“Gruaja është në gjendje jo të mirë. Na thanë se duhet të presim. Mendoj se nuk po trajtohet qysh duhet”, shton ai.

Pritja e gjatë për shërbime është një prej ankesave kryesore të pacientëve, sipas Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë. Ankesa të shpeshta ka edhe për mënyrën jo të duhur të komunikimit të mjekëve kur pacientët kërkojnë shërbime nga ta, pastaj për barna të pamjaftueshme esenciale apo edhe për gabime mjekësore. Gjatë vitit të kaluar, shoqata ka pranuar rreth 300 syresh, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i saj, Besim Kodra.

Ai tregon se ankesat mblidhen nga shumë institucione, si QKUK-ja, Ministria e Shëndetësisë e të tjera, dhe në fund adresohen tek Oda e Mjekëve të Kosovës. Por, gjatë vitit të kaluar, siç thotë, vetëm për dy raste ka pasur përgjigje. Kodra nuk jep detaje për këto të fundit, por me ligjet në fuqi – varësisht shkeljeve që bëjnë profesionistët shëndetësorë – mund të shqiptohen një sërë masash, nga rekomandimi kolegial ose kërkimfalja ndaj pacientit deri te tërheqja e përkohshme ose e përhershme e licencës së punës. Por, Kodra thotë se “trajtimi i ankesave çalon”.

“Ministria [e Shëndetësisë], kryesisht, i bart ankesat tek odat [e mjekëve], por nuk ofron shumë mbikëqyrje përmes Inspektoratit Shëndetësor, pasi janë pak [inspektorë] në numër”, shton ai.

Ankesa, qytetarët dërgojnë edhe tek Avokati i Popullit. Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, ky institucion thotë se ato variojnë – nga vonesat në diagnostikim dhe trajtim me kohë deri te trajtimi i padinjitetshëm në mungesë të hapësirave të nevojshme. Avokati i Popullit thotë se i ka rekomanduar në mënyrë të veçantë Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) që të krijojë hapësirat e nevojshme për kontrollin gjinekologjik të grave dhe vajzave. Sipas Avokatit të Popullit, në institucionet shëndetësore në Kosovë ka “shkelje të të drejtave të njeriut për qasje në shërbime shëndetësore të dinjitetshme, cilësore dhe në kohë të duhur”.

SHSKUK-ja, që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, pranon se ato janë evidente. Anëtari i bordit, Besim Demolli, thotë se SHSKUK-së do t’i duhet të formojë një komision të veçantë, që do t’i trajtonte me urgjencë rastet e neglizhencës së mjekëve. Ai kritikon Odën e Mjekëve të Kosovës, duke thënë se ajo i mbron anëtarët e saj dhe se nuk shqipton ndëshkime të merituara.

“Me oda nuk mund ta përmirësojmë cilësinë e shërbimit dhe reagimit”, thotë Demolli.

Por, ndryshe përgjigjen në Odën e Mjekëve të Kosovës. Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it thuhet se “prokurori i Odës fillon procedurën hetimore në momentin që pranon ankesën nga pala e dëmtuar” apo “edhe kur vihet në dijeni se është bërë shkelje nga ana e mjekut”.

“Pranë Zyrës së Prokurorit të Odës, gjatë vitit 2023 deri në muajin shkurt të këtij viti, janë pranuar afërsisht 73 ankesa të natyrave të ndryshme. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë me pretendimet për mostrajtim adekuat”, thuhet në deklaratë.

Përkundër insistimit të REL-it, Oda nuk dha informacione se çfarë dënimesh ka shqiptuar kur është konstatuar shkelja. Ngjashëm edhe Ministria e Shëndetësisë – thotë se i trajton ankesat që merr, por nuk ofron shumë detaje.

“Inspektorati Shëndetësor – i cili i realizon detyrat në përputhje me ligjin, pra inspekton institucionet shëndetësore, por edhe profesionistët shëndetësorë – në rast të shkeljeve apo dështimit në dhënien e shërbimeve, merr masa në përputhje me dispozitat ligjore dhe i adreson ato tek organet kompetente”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas një raporti të kësaj ministrie në vitin 2023, numri i ankesave të pranuara nga pacientët, ka qenë 214. Prej tyre, “89 kanë marrë përgjigje”, por nuk është se qartë se çfarë. Në të kaluarën ka pasur disa raste të ndëshkimit të profesionistëve shëndetësorë që janë bërë publike. Në fund të vitit 2022, një mjek nga Gjilani është arrestuar për “trajtim të pandërgjegjshëm” të një fëmije me autizëm, në një klinikë private. Po atë vit u janë marrë licencat dhe janë arrestuar disa infermiere për keqtrajtimin e një të moshuare në një shtëpi pleqsh. Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për pritje të gjata në QKUK, mungesë barnash apo edhe mjekësh.

Marrë nga REL

Kosova

ARTILERIA e rëndë, Vuçiç sulmon Bakoyanisin edhe me Marko Gjuriçin

Ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç, kandidat për minister I puneve te jashme ne qeverine e re te Vuçeviç, përmes një shkrimi në profilin e tij në “X” ka sulmuar raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, pasi kjo e fundit ka deklaruar se asnjë shteti tjetër nuk i janë kërkuar që të përmbush kaq shumë kritere përsa po i kërkohet Kosovës.

Gjuriç, i cili është kthyer në Beograd për t’i shërbyer Vuçiçit në propagandë, ka përmendur detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe gjithashtu edhe nga diskutimet e Ohrit, dhe sipas politikanit serb, Bakoyannis “nuk i sheh këto shkelje”.

I mllefosur ndaj raportueses greke, ai ka pyetur gjithashtu se bazuar në çfarë kritere, Bakoyannis po e përkrah anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Unë do të doja të dija, nëse është e mundur, cilat janë saktësisht ato kritere në bazë tek të cilat ajo tani mbështet anëtarësimin e qeverisë etnonacionaliste të Kurtit në Këshillin e Evropës. A është ndalimi total 11-mujor i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë? A është ndalimi i paligjshëm i përdorimit të dinarit serb, duke rezultuar që spitaleve në zonat me shumicë serbe të mos kenë ilaçe dhe furnizime mjekësore, dhe mjekë, infermiere dhe nëna të mos marrin paga, kujdes për fëmijët apo pensione? A janë këto kritere ndoshta arrestimet jashtëgjyqësore (të përmendura publikisht disa herë nga Josep Borrell dhe zyrtarë të tjerë të BE-së dhe SHBA-së), apo është shtypja brutale të cilës serbët e Kosovës i nënshtrohen çdo ditë?” –  ka shkruar Gjuriç, duke theksuar: – “Mbështetja për anëtarësimin e qeverisë së Kurtit në KiE, është një njollë e turpshme që nuk mund të justifikohet. Njëra për të cilën jam thellësisht i bindur nuk është në interes as të popullit grek dhe as atij serb”.

 

Continue Reading

Kosova

E zbulon Toby Vogel, ky është skenari më i mundshëm për votimin në KiE

Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, ka thënë se është shumë vonë që në procesin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të shfaqen kushte të reja ndaj Kosovës.

Ai gjithashtu ka parashikuar që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të vonohet, për shkak të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, formimin e të cilit e shohin si kusht disa nga qeveritë kryesore anëtare të organizatës.

Sipas ekspertit, kryeministri Albin Kurti, do të duhej të kishte hartuar një statut për Asociacionin që do të bllokonte financimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe që do t’i rezervonte edhe funksionet ekzekutive qeverisë në Prishtinë.

Vogel gjithashtu nuk mendon se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, do të hiqen së shpejti, për shkak se sipas tij, “BE-ja ka mbajtur qartë anën e Serbisë për këtë”.

Ai edhe ka pohuar se shumica dërrmuese e evropianëve mbështesin sovranitetin, pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Disa nga qeveritë kryesore anëtare të Këshillit të Evropës e kanë bërë të qartë se duqn të shohin përparim të prekshëm në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ose përndryshe nuk do të mund ta mbështesin kërkesën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk mund të dërgojë non-paper në Gjykatën Kushtetuese. Është e qartë se nuk më takon mua të them se çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës – kjo varet nga qeveria. Megjithatë, në retrospektivë më duket si një gabim që kryeministri e zvarriti procesin me Asociacionin, në vend që të hartonte një statut që plotëson si atë që ishte rënë dakord në vitin 2013 ashtu edhe shqetësimet legjitime të Kosovës.

Duhet të kishte hartuar një statut që do të bllokonte financimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe që do të rezervonte edhe funksionet ekzekutive qeverisë në Prishtinë” – ka deklaruar Vogel.

I pyetur se si ai e komenton propagandën dhe fushatat e egra të Serbisë, dhe pse ajo i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Vogel tha se Vuçiç po përdor çdo gjë që mundet për të minuar Kosovën, dhe në përgjithësi ata që i rezistojnë projektit të Serbisë së Madhe.

“Ne mund ta shohim këtë me diplomacinë e furishme serbe që kërkon të bllokojë rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën. Vuçiç ndoshta mendon se çdo fitore e Kosovës do të zvogëlonte kredibilitetin e tij, por ai gjithashtu dëshiron të demonstrojë se mund të veprojë pa u ndëshkuar, pa asnjë pasojë, sepse ka mbështetjen e Uashingtonit, Brukselit, Parisit dhe Berlinit” – ka theksuar Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel.

Duke komentuar kërkesën e qeverise për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ai deklaroi se qartasi Bashkimi Europian ka mbajtur anën e Serbisë për këtë temë.

“Masat u miratuan pa një votim zyrtar në Këshillin e BE-së, kurse tani Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka vendosur që heqja e tyre do ta kërkonte një votim të tillë dhe gjithmonë mund të gjesh dikë, për shembull, Hungarinë ose Sllovakinë, që do ta bllokonte iniciativën për heqjen e masave” – theksoi Toby Vogel.

Continue Reading

Kosova

Vuçiçit i ikën zëri, akuzon Berlinin për fushatë të ashpër për Kosovën në KiE

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se situata në lidhje me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) është e paqartë, por se Gjermania po bën një “fushatë brutale” për anëtarësimin me çdo kusht në këtë organizatë.

“Kosova do ketë nga 29 deri 33 vota pro saj, teksa 31 është shumica që u nevojitet, kështu që gjithçka ndodhet në teh të briskut” – deklaroi presidenti serb duke theksuar: Serbia do të vazhdojë të luftojë, por nuk mund të përballemi me Gjermaninë, Francën dhe të tjerët”.

“Ata po përdorin truke të ndryshme, kur është fjala për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe”- potencoi Vuçiç.

Ai gjithashtu ka deklaruar se shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë shumë domethënëse dhe të mëdha dhe se Serbia po bën të pamundurën për ta parandaluar.

Në fjalimin e tij për media, ai ka theksuar se Serbia ka përpara beteja politiko-diplomatike për Kosovën, duke kujtuar se më 16 maj pritet votimi në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në atë organizatë dhe vuri në dukje gjithashtu detyrimin e ri që i është vendosur Serbisë për në rrugën evropiane, në lidhje me kapitullin 35, duke shtuar se kapitulli i ndryshuar është mjaft i pafavorshëm.

Duke folur për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai theksoi se pa një fushatë gjithëpërfshirëse me të pavërteta dhe interpretimi fleksibël i detyrimeve të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë duke zbatuar teori të ndryshme për të ashtuquajturin faj të lidershipit serb, Kosova as nuk do mendohej do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë të mëdha, ne po bëjmë maksimumin që ta parandalojmë, sepse respektojmë rregullat evropiane, gjithçka që kemi rënë dakord me Evropën dhe me amerikanët.

Detyrimi i parë ishte formimi i Unionit të komunave serbe, pastaj pas disa vizitave të çuditshme në Athinë, ndryshohen marrëveshjet dhe kushtet, nuk përmendet më parandalimi i shpronësimit të pronave serbe dhe ngritja e paligjshme e bazave policore në veri, dhe kryesoreja, askush nuk e përmend më asociacionin” – shpjegoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

SURPRIZA e Knaus për asociacionin, vjen me një draft propozim

Shtetet kyçe të BE-së po kërkojnë progres të prekshëm nga Kosova përsa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të përkrahjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lidhur me këtë çështje, në mënyrë aktive është marrë Gerald Knaus nga “ESI”,  Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Në një diskutim në “X”, Knaus ka thënë se Drafti i propozuar në majin e vitit 2023 nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga Danijela Vujicic, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, bazuar në gjykimin e vitit 2015, prandaj sipas tij, dërgimi i këtij drafti në Kushtetuese do të ishte humbje kohe. Sipas tij, ajo çfarë duhet urgjentisht, është që propozimet të vijnë nga komunat me shumicë serbe.

“Ata e kanë të drejtën kushtetuese për një gjë të tillë”, ka shkruar Knaus më 30 prill duke sqaruar se vetëm paskësaj secili propozim mund të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse ajo ndoshta mund ti hedh poshtë si të papranueshëme.

Knaus gjithashtu ka thënë se bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk sjell përfitime për minoritetet.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me nënkryetarët e tri komunave veriore, me të cilët ka diskutuar për nevojat rreth shërbimeve komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave me shumicë serbe.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më pare, presidenti serb theksoi  se është interesant që Iniciativa Evropiane për Stabilitet e udhëhequr nga Gerald Knaus, tani po shërben për të krijuar një perde tymi rreth së vërtetës se çfarë po ndodh dhe pse Prishtina nuk mund të formojë asociacionin.

“Knaus thotë se komunat serbe nuk ekzistojnë. Por ne fakt ato ekzistojnë. Ka edhe në jug të Ibrit sepse nuk ka serb vetëm në veri. Kështu janë ata që e kanë pranuar rezultatin zgjedhor në very me pjesëmarrje prej tre për qind. Sipas tyre ky është kulmi i demokracisë. Më mire të thonë atë që mendojnë, se nuk e lënë Kosovën të formojë asociacionin, se Kosova duhet të shpërblehet, kurse serbët duhet të dënohen” – potencoi Vuçiç.

“Fuqitë e mëdha po luftojnë kundër nesh, ne do të vazhdojmë të luftojmë, pavarësisht se gjërat janë në buzë të greminës, sepse për tu pranuar në KiE duhet një shumicë prej 31 votash pro nga shtetet, dhe për momentin Kosova ka diku mes 29 dhe 33 votash” – deklaroi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

DUART NE FYT, Bakoyannis e cilëson akt trimërie propozimin për korrigjimin e kufijve

Dora Bakoyannis, deputetja greke që hartoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në një artikull autorial, konsideroi se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mund të cilësohet si “akt trimërie” që u ndërmorr nga liderët e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë.

Duke përsëritur se rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk adreson çështjen e shtetësisë së Kosovës, ish-kryediplomatja greke përmendi kohën kur liderët e Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç – propozuan të negocionin mbi një parim të ri, ku të dyja palët do t’i rishikonin kufijtë shtetëror përgjatë vijave etnike.

“Pavarësisht se negocimi rreth kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve – për çka e kundërshtoj – unë e kam konsideruar këtë akt trimërie nga Vuçiçi dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është kritik në politikë. Dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve të imagjinatës kombëtare” – ka shkruar raportuesja greke

Sidoqoftë, ajo deklaroi se asnjë anëtari nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë parakushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, tha Bakoyannis teksa dhe kujtoi sulmet ndaj saj që erdhën nga zyrtarët serbë pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, teksa dhe shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës, gjithmonë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja finale është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet dikur në mes të muajit maj në Strasburg të Francës.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING