Politike
Pas pushimeve, Kuvendi në sheshbetejë politike/ Opozita paralajmëron aksion të fortë
Kuvendi i Shqipërisë do të rikthehet në punimet parlamentare të martën, më 8 shtator 2026, në orën 17:00, duke nisur zyrtarisht Sesionin e III-të të Legjislaturës së XI-të.
Seanca e parë plenare pas pushimeve të verës është thirrur përmes urdhrit nr. 51, të datës 4 shtator, të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Sipas rendit të përcaktuar, mbledhja do të nisë me çeljen zyrtare të sesionit të ri parlamentar. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin e seancës së fundit plenare, të zhvilluar më 27 korrik.
Në vijim do të paraqiten njoftimet zyrtare për projektligjet e depozituara dhe nismat e reja parlamentare.
Rikthimi i deputetëve në sallën e Kuvendit pritet të shoqërohet me debate politike, në një klimë të tensionuar, teksa aksioni opozitar dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të jenë në qendër të zhvillimeve politike.