Bota
Pas trëndafilave/ Sanksione, akuza për spiunazh dhe sulme kibernetike në takimin Trump-Xi Jinping
Pavarësisht toneve pajtuese mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, tensionet mes dy superfuqive duket se po thellohen larg kamerave, përmes sanksioneve, akuzave për spiunazh dhe shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Sipas një raportimi të New York Times, administrata Trump kishte udhëzuar muaj më parë zyrtarët e lartë amerikanë të shmangnin përplasjet e panevojshme me Kinën, në prag të përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet me rivalin më të madh ekonomik, ushtarak dhe teknologjik të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, zhvillimet e javëve të fundit kanë ndjekur një drejtim tjetër.
Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione të reja ndaj kompanive kineze, të cilat Washingtoni pretendon se kanë furnizuar Iranin me të dhëna satelitore për shënjestrim, duke mundësuar sulme ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Kinën për vjedhje të modeleve të inteligjencës artificiale nga kompani amerikane të teknologjisë.
Ndërkohë, prokurorët federalë amerikanë njoftuan ngritjen e akuzave ndaj kryetares së bashkisë së Arcadia-s në Kaliforni, Eileen Wang, e cila dyshohet se ka vepruar në mënyrë të paligjshme për interesat e Pekinit.
“Kjo marrëveshje pranimi faji është suksesi më i fundit në vendosmërinë tonë për të mbrojtur vendin nga përpjekjet e Kinës për të korruptuar institucionet tona”, tha Bill Essayli, ndihmës prokuror federal për Distriktin Qendror të Kalifornisë.
Megjithatë, në takimin e zhvilluar të enjten, Trump përdori një gjuhë dukshëm më pajtuese ndaj Xi Jinping, duke e cilësuar atë si “një lider të madh” dhe duke deklaruar se “është nder të jem miku juaj”.
Nga ana tjetër, Xi paralajmëroi se “konflikte” mes dy vendeve mund të lindin për çështjen e Tajvanit.
Sipas Elizabeth Economy, eksperte e politikës kineze dhe ish-këshilltare në Departamentin e Tregtisë gjatë administratës Biden, veprimet e fundit mund të jenë edhe një përpjekje për t’i kujtuar vetë Trump-it natyrën e rivalitetit me Pekinin.
“I shoh këto si përpjekje të zyrtarëve më të ashpër ndaj Kinës për të vepruar në momentin kur mendojnë se ka më shumë hapësirë, pak para samitit”, tha ajo. “Në shumë mënyra, vetë presidenti mund të jetë po aq audiencë e synuar sa edhe Kina”.
Përtej deklaratave publike, raporti sugjeron se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të përcaktohen gjithnjë e më shumë nga përplasjet për inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, Iranin dhe Tajvanin, sesa nga deklaratat diplomatike për partneritet.