Connect with us

Politike

Peleshi shpërthen pas protestës: Asgjë nuk justifikon dhunën dhe kaosin

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar ashpër ndaj incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para godinës së Parlamentit.

Në një postim në Facebook, Peleshi ka dënuar aktet e dhunës, duke i cilësuar ato si të papranueshme për një vend që aspiron vlerat demokratike.

Kreu i Kuvendit nënvizoi se ndonëse e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore në çdo demokraci, ajo nuk mund të shndërrohet në një mjet për dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve apo institucioneve publike.

Postimi i plotë:

“Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore.

Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia. Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë. Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit” shkroi ai.

Advertisement