Bota
Pentagoni nis programin e testosteronit për ushtarët amerikanë
Pentagoni do të nisë një program për testimin dhe trajtimin e mungesës së testosteronit te ushtarët amerikanë, në kuadër të një nisme të shpallur nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sipas Financial Times, Hegseth e prezantoi programin si pjesë të përpjekjeve për të krijuar një forcë ushtarake “High-T”, duke theksuar se nivelet e duhura të testosteronit i bëjnë ushtarët “më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më të aftë” për të kryer detyrat e tyre.
Departamenti i Mbrojtjes do të nisë një program të ri depistimi për mungesën e testosteronit te personeli ushtarak. Ushtarët mbi moshën 30 vjeç do t’i nënshtrohen testimeve çdo vit, ndërsa ata më të rinj do të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë vullnetare.
Nisma është pjesë e strategjisë së Hegseth për ta orientuar ushtrinë drejt asaj që ai e quan një “etikë luftëtari”, duke i dhënë përparësi aftësisë fizike, gatishmërisë luftarake dhe standardeve tradicionale të performancës.
Hegseth ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e formës fizike në ushtri. Në një takim me gjeneralë dhe admiralë, ai deklaroi se është “e papranueshme të shohësh ushtarë, gjeneralë apo admiralë mbipeshë”, duke e cilësuar këtë të papajtueshme me standardet e forcave të armatosura amerikane.