Politike
GODITJA E SPAK/ PER EDI RAMEN PO BIEN DAULLET
Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në SHBA dhe zhvillimet e fundit lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj.
Shkullaku u shpreh skeptik për ndikimin real të vizitës së Ramës në SHBA në planin e brendshëm politik dhe vuri në pikëpyetje edhe përfitimet konkrete të vizitës në Uashington.
Duke u ndalur te zhvillimet me SPAK-un, Shkullaku tha se kërkesa për arrest me burg ndaj Ballukut përbën një goditje direkte ndaj Ramës. Sipas tij, mazhoranca aktuale prej 85 mandatesh nuk po reflekton forcën politike që ka pasur më parë, ndërsa tensionet me SPAK-un dhe çështje të tjera, si ajo e AKSHI-t, tregojnë një situatë të re për qeverinë.
‘Çështja është çfarë fiton Rama me këtë punë? Në debatin lokal ne mund ta shtymë dhe një emision. Edhe dy tre të tjerë. E priti Trumpi, s’e priti Trumpi. Në debatin lokal prapë nuk ka vlerë reale. Pse? Sepse Rama votat, ndryshe siç mund të jetë në Kosovë, ku një takim me përfaqësues të lartë të politikës amerikane ka ndikim.
Ose është zbehur roli i Amerikës në rajon. Se njëherë thonë kryeministri më i mirë, njëherë thonë kryeministri më i keq. Pra, dhe amerikanët njëherë janë për ndryshim kufijsh, njëherë janë për Ballkan të Hapur, ka një mungesë serioziteti.
Rama nuk i merr votat as çfarë thotë Blinkeni dhe as nëse e pret. Sa të ketë çunat e vet, nuk i plas shumë se çfarë ndodh përtej oqeanit. Sigurisht që i duhet këtu për të marrë pak oksigjen, për të thënë që shiko se Amerikën e ka me vete, do zbythet SPAK-u, s’do zbythet SPAK-u, që ndërkohë nuk ka ndodhur.
Do t’i rregullohen marrëdhëniet me Bashkimin Europian, s’i rregullohen marrëdhëniet me Bashkimin Europian. A ka marrë ndonjë ndihmë konkrete financiare për Shqipërinë? Dhe a takoi ndonjë zyrtar të lartë në Uashington Edi Rama? Pra, që të marrësh rrugën për t’u ulur atje dhe për të folur tre minuta si një nga 93 vendet pjesëmarrëse të bordit.
Rumani, Hungari, Kosovë, Shqipëri. Pra katër vende ishin, ishim një nga 94-at. Për shkak të debatit që u bë këtu, që Trumpi ka hequr vizën e të tjerë e të tjerë, fotografia treshe, jo dyshe, me Vjosa Osmanin në fund, mund të thuhet që okej Rama vajti te Trumpi. Kaq është historia.
Çështja është, ajo që diskutojmë ne këtu është, ore, a ja vlen të falen copa Shqipërie, të çohen para, të bëhen lobime e të tjerë e të tjerë, për një fotografi treshe? Për ne si shqiptarë nuk ja vlen fare. Por dhe për Ramën mendoj që nuk ja vlen. Do të ishte tjetër histori, nëse këtu pozitat e Ramës do kishin qenë po aq të forta sa ç’kanë qenë para disa vitesh.
A janë po aq të forta? Unë them që jo. Nuk janë aq të forta. Pra, Rama ka mazhorancën më të madhe që ka pasur ndonjëherë, 85 mandate, po përpëlitet si legen ka tre muaj, ja Belinda, pezullimi, SPAK-u, erdhën me patllake, po ma marrin, po ma bëjnë tenxheret, kazanët, po më sulmojnë vetëm mua, ç’janë këta të poshtër, SPAK-u do t’i vë kufirin këtu.
Pjella e Ramës, mjafton vetëm kaq. Atuja më e madhe që ka pasur Rama ka qenë që unë kam bërë drejtësi, vëlla, që nga 1912-ta. Kjo mazhorancë i ka dhënë Shqipërisë drejtësi. Sot po na del që kjo drejtësi qenka e korruptuar, jashtë binarëve, duhet vënë fre, duhet reformuar, duhet ndryshuar, duhen futur duart si në Kushtetutë, si në Kodin e Procedurës Penale.
Sepse tjetër temë do ishte mbas takimit me Trumpin, mesazhin, SPAK tërhiqu nga imuniteti, bëj atë që thotë Rama. Ti pezullimin e ke, pse do ta çosh në burg Ballukun? Po sot, kryetari i SPAK-ut ka kërkuar arrest me burg për Ballukun. Pra, unë këtë goditjen e Ballukut unë nuk e shoh të palidhur me një ndryshim të politikës amerikane në raport me Shqipërinë dhe me qeverinë Rama.
Mund të jetë edhe një trimërim i papritur i SPAK-ut dhe një ndriçim i tyre që ore, ne deri tani e kemi jetuar kot, tani duhet të jetojmë tamam. Por mua më duket goditje për Ramën. Edhe AKSHI është goditje për Ramën’, tha Armand Shkullaku