Connect with us

Aktualitet

Plakja e popullsisë në Shqipëri, studiuesi: Pasoja të mëdha për ekonominë

Në Shqipëri, të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë në përkeqësim të vazhdueshëm. Mosha mesatare 39 vjeç, shtesa natyrore e popullsisë në prag të rritjes negative apo emigracioni i lartë, kryesisht i të rinjve, po e plakin me ritme të shpejta popullsinë. Sfidat sipas ekspertëve janë të mëdha, dhe vendi nuk është i përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me to. Ky fenomen ka prekur mjaft vende të zhvilluara, por studiuesit vërejnë se pasojat në Shqipëri janë më të rënda për shkak të një ekonomie më të dobët.

Në Shqipëri ka disa vite që popullsia është bërë më e moshuar. Vetëm në 10 vitet e fundit grup-mosha e popullsisë mbi 65 vjeç është rritur nga 11% në vitin 2011, në rreth 16, ndërsa ajo deri në 14 vjeç ka rënë nga afro 21 në 16%. Ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 39 vjeç nga 33 që ishte një dekadë më parë. Studiues të zhvillimeve shoqërore vënë re me shqetësim se të gjithë treguesit demografikë që ndikojnë në plakjen e popullsisë janë përkeqësuar. Rënia e numrit të lindjeve është një prej tyre. Në dhjetë vitet e fundit ai ka rënë me 30%, ndërsa vetëm vitin e kaluar ra me 10% krahasuar me atë paraardhës. Numri i lindjeve aktualisht është 1. 2 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese dhe prej dy dekadash është nën kufirin prej 2.1 i nevojshëm për ripërtëritjen e popullsisë. Mjekët janë të parët që e ndjejnë këtë fenomen.

“Jam i lumtur kur vjen një grua me fëmijën e tretë, sepse janë raste të rralla. Mosha e grave që lindin për herë të parë u rrit nga 19-21 vjeç rreth viteve “90, në 29-30 vjeç aktualisht. Kjo sjell reduktim të popullatës sepse dhe fëmija i dytë vjen më vonë dhe sjell uljen e numrit”- thotë për Zërin e Amerikës Astrit Bimbashi Shef i Shërbimit të Obstetrikës në Maternitetin Koço Gliozheni.

Megjithëse qeveria vendosi 4 vjet më parë disa stimuj financiare për nënat që sjellin në jetë fëmijë (40 mijë lekë për fëmijën e parë, me rritje progresive për fëmijën e dytë 80 mijë, për të tretin 120 mijë lekë, e kështu më radhë) kjo nisëm nuk ndikoi në rritjen e numrit të lindjeve.

Njohës të fushës vënë theksin në përpilimin e politikave të qëndrueshme për shërbimin ndaj gruas shtatzënë (Feto-Amtar), larg strategjive globaliste të shëndetit riprodhues, pasi Shqipëria ka një popullsi në rënie të vazhdueshme.

“Kemi reaguar fort për strategjinë e fundit të shëndetit riprodhues, sepse mbi të do të bëhet një ligj i ri. Për fat të keq kjo strategji kishte përdorur 217 herë fjalën kontracepsion, kurse grua shtatzënë vetëm një herë, që ne nuk na shkoi. Nuk mund të flasësh për kontracepsion në një popullatë që gati gati është zero nataliteti me vdekjet. Kjo është arsyeja që ne kërkojmë, që dhe për hir të situatës ku jemi, shërbimin Feto-Amtar ta nxjerrim jashtë shëndetit riprodhues. Sepse në fund të fundit kjo është një politikë globaliste dhe jemi vend i vogël, nuk jemi as Kina as India që të ndjekim pas politikat e tyre”-vijoi Astrit Bimbashi Shef i Shërbimit të Obstetrikës në Maternitetin Koço Gliozheni.

Në Shqipëri shtesa natyrore ka rënë mënyrë drastike në rreth 700 persona në vit nga 64 mijë që ishte në vitin 1990. Megjithëse Shqipëria vazhdon të ketë shtesë pozitive të popullsisë, emigracioni i lartë bën që rritja të jetë negative.

Sipas një ankete të publikuar nga INSTAT për emigracionin për vitet 2011-2019, grupmosha 20-39 vjeç përbën rreth 68% të totalit prej afro 177 mijë qytetarëve të larguar nga vendi. Sipas së njëjtës anketë 50% e tyre janë të rinj të moshës 15-29 vjeç.

Ekspertët thonë se largimi i të rinjve po e plak me shpejtësi popullsinë dhe pasojat sociale në të ardhmen sipas tyre do të jenë të rënda.

“Largimi i të rinjve nga vendi do ndjehet pak me vonë kur sasia absolute e personave që përbëjnë forcën e punës, nëse vijojnë këto ritme do bjerë në mënyrë domethënëse dhe nuk do të ketë mekanizma të tjerë për t’i mbajtur, ose për t’i zëvendësuar” – u shpreh për Zërin e Amerikës, Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Administrim Biznesit dhe Drejtësisë, në Tirana Business University College.

Studiuesja Nevila Xhindi mendon se çdo shoqëri ka nevojë të vazhdueshme për ide të reja.

“Pyetja lind natyrshëm, me kë? Sipërmarrja, inovacioni kërkon mendje të reja energji të reja, kërkon krah punë të ri. Grupmosha e punës në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm. Janë reduktuar idetë, mendimet, sipërmarrjet. Ka ndryshuar burimi i financimit nga qeveria, e cila nuk mund të vërë para në dispozicion për inovacion dhe mendim të ri, por duhet t’i përdorë për të plotësuar pensionet, shëndetësinë të gjithë shërbimin social që e ndjek këtë proçes”- u shpreh për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi, Studiuese.

Autoritetet thonë se kanë hartuar një strategji të posaçme 7 vjeçare si dhe kanë miratuar një ligj për rininë, me qëllim për të frenuar emigracionin e të rinjve. Për të rinjtë që nuk janë as në punë dhe as në shkollë qeveria ofron praktikë pune, mundësi punësimi ose praktikë profesionale. Ndër politikat rinore siç shpjegon Ministria për rininë dhe fëmijët Bora Muzhaqi, në përgjigjen me shkrim për Zërin e Amerikës, janë dhe trajnimet 6-12 mujore për kodimin, për t’u dhënë mundësi të rinjve, që të hyjnë në tregun ndërkombëtar të punës, pa u larguar nga

Shqipëria, rritja e pagave në administratën publike, kreditimi për blerjen e banesave për çiftet e reja në disa sektorë apo përmirësimi i infrastrukturës në arsimin bazë dhe atë të lartë.

Por sfidat përballë moshimit të popullsisë janë të shumta. Jetëgjatësia në Shqipëri është rritur me thuajse 2 vite krahasuar me një dekadë më parë.

Ekspertët thonë se skema e pensioneve, pra raporti mes kontribuesve për një përfitues, po dëmtohet nga fenomeni i plakjes së popullsisë.

“Popullsia në moshë pune po ulet dhe popullsia nën moshën e punës nga 0-14 vjeç është më e ulët se popullsia që del në pension. Në vitin 2013 raporti kontriubues përfitues ishte 1 me 1, raporti u përmirësua në vitin 2015 në 1.32 kontribues për një pensionist. Pas vitit 2018 filluan të ndjehen proçeset demografike dhe për rrjedhojë vitin e kaluar raporti mes kontribuesve dhe pensionistëve ra në 1.17”- tha për Zërin e Amerikës Koço Broka ekspert i ekonomisë.

Pedagogu i sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT Julian Bejko, thotë për Zërin e Amerikës se pasojat e një popullsie të plakur janë të mëdha sidomos në vende si Shqipëria me ekonomi të dobët dhe mangësi në shërbimet sociale.

“Plakja sjell nevojën për të patur një logjistikë gjithnjë e më të madhe në mirëmbajtjen e këtyre njerëzve. Kjo logjistikë do njerëz. Ne na mungojnë mjekët, infermierët. Flas për profesione që nevojiten për mirëmbajtjen e tyre. Kjo nuk mund të zgjidhet duke u kyçur diplomat studentëve të mjekësisë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Julian Bejko, Pedagog i sociologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale UT.

Eksperti i ekonomisë Elvin Meka, vëren se edhe strukturat shëndetësore me plakjen e vazhdueshme të popullsisë do të vihen nën vështirësi.

“Prirja do të vijojë edhe në 5 apo 10 vitet e ardhshme dhe do ketë nevojë për më shumë shërbime shëndetësore. Strukturat spitalore ose shëndetësore që qeverisen me para publike do të vihen në presion gjithnjë e më të madh dhe do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për fonde dhe kërkesë për fonde dhe investime shtesë. Këto para do dalin nga diku, do të hiqen nga diku për t’u shtuar në pjesën e infrastrukturës mbështetëse të kujdesit shëndetësor”– u shpreh për Zërin e Amerikës, Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Administrim Biznesit dhe Drejtësisë, në Tirana Business University College.

Zëri i Amerikës kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagim në lidhje me politikat mbi lindjet apo shëndetin riprodhues por nuk mori përgjigje. Nga ana tjetër në një raport të fundit të BB, nënvizohet se popullsia e Shqipërisë po plaket shumë më shpejt se grupi i vendeve me të ardhura mesatare të larta ku ajo bën pjesë. Përqindja e të moshuarve në varësi të popullisë në moshe pune, është thuajse e njëjtë me vendet me të ardhura të larta, prej 16% ndërsa ky tregues për vende si Shqipëria është 8%. Në këtë raport thuhet se vendeve si Shqipëria ju duhet të përballen me sfidat e vendeve të zhvilluara kur bëhet fjalë për plakjen e popullsisë, pra të kompensojnë një fuqi punëtore në tkurrje me qëllim për të financuar pensionet dhe kujdesin për një popullsi të plakur. Shqetësimi për BB mbetet fakti se mjaft vende si Shqipëria me të ardhura mesatare të larta mund të plaken para se të pasurohen./voa

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading

Aktualitet

Ndalimi i tregtisë me Izraelin/ Erdogan: 9.5 mld dollarë më pak, për ne nuk ndryshojnë gjë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Ai tha se tashmë është koha për të vepruar dhe se durimi kishte përfunduar.

Sipas Erdogan opozita në Turqi shfrytëzoi faktin që qeveria nuk ndërmori masa kundër Izraelit dhe e përdori diçka të tillë për zgjedhjet në vend.

“Zhvillimet e fundit në operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza nuk janë të pranueshme. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se ishte e nevojshme të ndërmerreshin këtë hap. Ne prisnim të shihnim qetësimin e situatës përpara se të merrnim këto masa, por opozita e shfrytëzoi këtë për të na sulmuar Pasi të kenë përfunduar zgjedhjet, ne kalojmë te veprimet dhe faktet”, tha Erdogan.

Ndalimi i importeve dhe eksporteve do të vazhdojë derisa të ketë një armëpushim dhe të garantohet aksesi i popullatës në ndihma humanitare.

“Ndërmjet 40 dhe 45 mijë civilë të pafajshëm u vranë me bashkëpunimin e Perëndimit dhe në veçanti të Amerikës. Tani durimi ka mbaruar dhe ne kemi marrë këtë masë. Tregtia me Izraelin ishte 9.5 miliardë dollarë, për ne nuk ndryshon asgjë hiqni dorë, dera është e mbyllur”, përsëriti Erdogan.

Continue Reading

Aktualitet

Vrasja e të moshuarve në Dropull, shoqërohen 9 banorë në Komisariat, çfarë gjeti policia

9 banorë të fshatit Bodrishtë dhe një bari shtegëtar të imëtash janë shoqëruar nga policia e Gjirokastrës, nën cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin ndaj dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia bashkëshortë mes tyre.

Deri tani të shoqëruarit janë banorë që jetonin në afërsi të banesës së çiftit, persona me të cilët mund të kenë pasur debate për kufijtë e pronës si dhe bariu që nuk është banor i fshatit, por që mendohet se mund të ketë qenë në rrugën para banesës në momentin e krimit e që dyshohet se ka dijeni për të.

Policia gjithashtu ka gjetur një levë hekuri në pjesë e pasme të banesës objekt që është marrë në konsideratë në cilësinë e provës pasi dyshohet se të moshuarit kanë marrë goditje nga i njëjti objekt, burri në pjesën anësore të kokës dhe gruaja në pjesën e shpinës. Goditjet sipas ekspertëve kanë qenë vdekjeprurrëse sepse janë shkaktuar nga një mjet i fortë.

Hetuesit janë duke pritur analizat e ADN-së për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen dhe identifikimin e autorit të këtij krimi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING