Connect with us

Aktualitet

Plas lufta për pagat në drejtësi/ Thesari nuk kalon rritjen, financat: duhet kuvendi

Një përplasje e fortë institucionale është hapur mes sistemit të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë përcaktuar një pagë të re referuese për magjistratët, duke e çuar atë në 222,425 lekë, nga rreth 156,800 lekë që ishte më parë. Pagës referuese i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit.

Por listëpagesat e muajit gusht të përllogaritura sipas formulës së re nuk janë ekzekutuar nga Thesari.

Ministria e Financave kundërshton termin “bllokim pagash”. Sipas saj, KLGJ dhe KLP kanë paraqitur listëpagesa të bazuara në një metodologji që nuk është aktualisht e miratuar me ligj dhe ndryshimi financiar mund të bëhet vetëm pas ndërhyrjes së Kuvendit.

Për këtë arsye, Financat kanë kërkuar që listëpagesat të paraqiten sipas metodologjisë së përdorur deri në korrik.

Nga ana tjetër, shoqatat e magjistratëve argumentojnë se formula e re buron nga vendimi nr. 15 i Gjykatës Kushtetuese dhe se afati që iu ishte lënë institucioneve për zgjidhjen e çështjes kishte përfunduar.

Situata ka arritur deri te paralajmërimet për kallëzime penale ndaj drejtuesve përgjegjës në rast se pagesat nuk ekzekutohen sipas përllogaritjes së re.

Pra përplasja nuk është më vetëm politike.

Në njërën anë janë institucionet e drejtësisë që pretendojnë se po zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese; në anën tjetër Ministria e Financave, e cila thotë se ndryshimi i pagave dhe efektit buxhetor kërkon ndërhyrjen e Kuvendit.

Pyetja tashmë është: kush ka kompetencën për të vendosur pagën dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse magjistratët vazhdojnë të mos marrin pagesën sipas formulës së re?

 

Advertisement