Politike
‘Po i heqin dhëmbët prokurorisë’, Berisha kritikon SPAK dhe KLP-në
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar SPAK-un dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për atë që e cilësoi si mungesë reagimi ndaj ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, ai pretendoi se dispozitat e reja mund të kufizojnë nisjen e hetimeve dhe përdorimin e provave të siguruara pa vendim gjykate.
Berisha tha se ndryshimet, sipas tij, mund të ndikojnë te hetimet për korrupsion dhe të mbrojnë kryeministrin Edi Rama e persona të tjerë pranë tij. Ai kritikoi gjithashtu rregullat që, sipas pretendimit të tij, kufizojnë publikimin nga mediat të materialeve hetimore.
“E vërteta është se organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbët dhe dhëmballët. Ajo që më bën përshtypje, Muharrem, është se kjo paketë ligjore, e cila e bën të pamundur hetimin dhe, de facto, e bllokon atë, ka krijuar shqetësim ndërkombëtar, por nuk ka asnjë fjalë nga organizata e partisë, SPAK-u, për këtë paketë. Nuk ka asnjë fjalë as nga KLP-ja e partisë, Këshilli i Prokurorëve.
Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin, edhe kur kanë informacione të mjaftueshme për të nisur hetimin. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë: mos bëj më asnjë hetim. Kjo është tallje, përqeshje. Por tani që Edi Rama është në shënjestër dhe rrethi i tij po ashtu, nuk quhet më i vlefshëm asnjë hetim që mund të ketë nisur ndaj tij, meqë nuk e kanë njoftuar”, tha Berisha.
Ai pretendoi se ndryshimet mund të bëjnë të papërdorshme prova të mbledhura gjatë hetimeve dhe përmendi mesazhe e të dhëna nga celularë dhe servera. Këto pretendime dhe shembujt e përmendur janë pjesë e deklaratës së Berishës.
“SKAP-istët nuk flasin, por duhet ta dinë se kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Heshtja e tyre është heshtje turpi. Nuk flasin për faktin se provat zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerëve, meqë janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.
Tani Edi Rama po i zhvlerëson provat e marra nga celularët dhe serverat. Pa vendim gjykate, ato nuk vlejnë për proces. Pra, mbron veten e tij. Po mbron Olsin e tij, Lindën e tij, narko-qeverinë e tij.
Tjetër, kjo paketë është paketë absolutisht staliniste. Ajo bllokon plotësisht mediat dhe vendos censurë totale. Mediat tani nuk mund të japin asnjë informacion; përkundrazi, dënohen nëse botojnë. Por anëtarët e organizatës së Partisë Socialiste, SPAK, nuk shqiptojnë asnjë fjalë. Histori turpi, histori nënshtrimi. KLP-ja, qeveria e prokurorisë së akuzës, nuk shqipton asnjë fjalë. Këto janë dëshmi të kontrollit të plotë të Edi Ramës mbi institucionet e drejtësisë”, vijoi Berisha.