Connect with us

Politike

Policia nuk është palë, është arbitër/ Lutfi Dervishi godet uniformat: S’mund të përdorni dhunë

Roli i Policisë së Shtetit gjatë protestave është rikthyer në qendër të debatit publik, veçanërisht pas akuzave për përdorim të dhunës dhe forcës ndaj protestuesve.

Gazetari Lufti Dervishi, duke komentuar situatën  tha se policia duhet të qëndrojë jashtë përplasjeve politike dhe të veprojë si arbitër, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për protestë dhe zhvillimin normal të veprimtarisë së Kuvendit.

“Policia nuk është palë, policia është arbitër”, deklaroi Dervishi, duke theksuar se uniformat blu kanë dy detyra themelore: të garantojnë mbarëvajtjen dhe integritetin e punës së Kuvendit dhe deputetëve, por edhe të sigurojnë zhvillimin e protestës.

Sipas tij, përballë një proteste policia nuk duhet të pozicionohet politikisht, pavarësisht kërkesave që artikulojnë qytetarët.

Dervishi argumentoi se kërkesa për largimin e një qeverie është pjesë normale e një proteste politike dhe se policia nuk duhet të shqetësohet nga përmbajtja e këtyre kërkesave.

“Policia nuk ka pse shqetësohet pse njerëzit kanë dalë me kërkesa për rrëzimin e qeverisë, sepse kjo është krejt normale”, u shpreh gazetari.

Duke e lidhur këtë me situatën politike në vend, Dervishi ironizoi argumentin se qytetarët do të dilnin në rrugë pa arsye, duke nënvizuar se protesta është një formë e ligjshme e shprehjes së pakënaqësisë ndaj qeverisjes.

Në këtë kuadër, ai bëri një dallim të qartë mes dhunës dhe forcës së përdorur nga policia në përputhje me ligjin.

Sipas Dervishit, policia nuk mund të përdorë dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa në situata të caktuara mund të përdorë forcë, por ajo duhet të jetë proporcionale dhe e përcaktuar nga ligji.

“Policia nuk mund të përdorë dhunë, policia përdor forcë proporcionale në përputhje me ligjin”, deklaroi ai.

Komentet e gazetarit vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndërsa mënyra e ndërhyrjes së policisë është kthyer në një prej çështjeve më të debatuara.

Në thelb të qëndrimit të Dervishit është ideja se Policia e Shtetit nuk duhet të shihet si aktore e konfliktit politik, por si institucion që garanton rregullin, sigurinë dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Për gazetarin, standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjitha palët: mbrojtje e institucioneve dhe deputetëve, por njëkohësisht respektim i të drejtës së qytetarëve për të shprehur kundërshtimin e tyre përmes protestës.

Advertisement