Shkrime
Pse Trump nuk e përfundon dot luftën sipas kushteve të tij
Shkruar nga Ian Bremmer
Përpjekja e fundit e administratës Trump për të projektuar fuqi në Gjirin Persik u shpërbë me një shpejtësi marramendëse, duke nxjerrë në pah diletantizmin strategjik që karakterizon këtë krizë.
Të dielën, Presidenti Trump prezantoi me bujë “Projektin Liria”, një nismë ushtarake ambicioze për shoqërimin e anijeve tregtare dhe rivendosjen e sovranitetit detar në Ngushticën jetike të Hormuzit. Megjithatë, të martën në mbrëmje, operacioni u pezullua pa asnjë ceremoni përmes një postimi lakonik në Truth Social.
Ky kapitullim i papritur erdhi vetëm pak orë pasi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i siguronte gazetarët për palëkundshmërinë e SHBA-së në këtë mision. Ndonëse Marina amerikane arriti të shoqëronte me sukses dy destrojerë dhe dy anije tregtare, standardi i vendosur nga vetë Shtëpia e Bardhë për “suksesin” ishte i paarritshëm.
Sekretari i Mbrojtjes, Hegseth, deklaroi se qëllimi ishte të provohej se Irani nuk e kontrollon ngushticën, por realiteti në terren diktoi një narrativë tjetër. Menjëherë pas njoftimit të Trump, Teherani u përgjigj me zjarr aktiv mbi mjetet lundruese dhe lëshoi një breshëri raketash e dronësh drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e detyruar trafikun detar të largohej menjëherë nga zona.
Në një përpjekje thuajse absurde për të ruajtur imazhin, Hegseth dhe Gjenerali Dan Caine u munduan të sqaronin se sulmet ndaj Emirateve, goditjet mbi anijet civile dhe 12 rastet e zjarrit kundër Marinës Amerikane nuk e kishin kaluar ende “pragun” e vendosur për një kundërpërgjigje masive.
“Ne nuk po kërkojmë luftë!” – deklaroi njeriu që tashmë këmbëngul të quhet “Sekretar i Luftës”. Për pasojë, “Projekti Liria” u katandis në një operacion teknik të hartëzimit të minave dhe ndarjes së informatave, përpara se të “ngrihej” – zyrtarisht për t’i dhënë shans diplomacisë, por realisht sepse anijet transportuese neutrale refuzuan të bëheshin tabelë qitjeje për iranianët.
E vërteta është e qartë dhe e hidhur: përveç një ndryshimi të regjimit – një proces që Trump po e kupton se është më i lehtë si slogan sesa si operacion – ngushtica mund të rihapet vetëm përmes një pakti me Iranin ose një pranie ushtarake masive (detare dhe tokësore).
Nuk ka një “rrugë të tretë” magjike. Ndërkohë, kostoja ekonomike po rritet në progresion gjeometrik. Nuk bëhet fjalë vetëm për çmimin e naftës; rezervat e karburantit për aviacionin janë në nivele kritike dhe bllokimi i plehrave kimike drejt Azisë Jugore po kërcënon sezonin e mbjelljeve dhe stabilitetin e një rajoni të tërë.
Trump gjendet në një rreth vicioz. Ai preferon të shmangë një luftë tjetër “të pafundme”, por refuzon të lëshojë pe. Ndonëse të dyja palët kanë interesa strukturore për një marrëveshje, ato janë të paralizuara nga bindja se koha punon për to.
Teherani pret fundin e mandatit të Trump, ndërsa Trump pret dorëzimin e Iranit. Megjithatë, kërkesa e amerikanëve për dorëzimin e të gjitha rezervave të uraniumit mbetet një “vijë e kuqe” e pakalueshme për Republikën Islamike.
Rreziku i vërtetë është se, i gjendur nën presion, Trump mund të autorizojë sulme ajrore pa paralajmërim, gjë që do të asgjësonte çdo urë dialogu dhe do të provokonte sabotazhe ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë Gjirin.
Alternativa tjetër – shpallja e një fitoreje imagjinare dhe tërheqja e njëanshme – do të ishte një goditje vdekjeprurëse për egon e tij politike dhe trashëgiminë që kërkon të lërë. Ajo që shqetëson më shumë është izolimi informativ i presidentit.
Këshilltarët e tij, të vetëdijshëm për temperamentin e Trumpit, preferojnë më shumë të ushqejnë narrativën e fitores së afërt sesa t’i prezantojnë realitetin e zymtë. Kjo luftë po shndërrohet në gabimin më të madh të politikës së tij të jashtme, dhe për sa kohë që mungon vullneti për kompromis real, spektri i një konflikti shkatërrues mbetet më i pranishëm se kurrë./ “Gzero”
