Politike
“Qelia pa sinjal alarmi!”/ Klevis Balliu flet pas takimit me Ilir Metën
Pas përfundimit të takimit me ish-presidentin Ilir Meta, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu nga burgu 313 dha një prononcim për mediat, ku tregoi kushtet e qelisë ku qëndron kreu i PL-së.
Demokrati u shpreh se qelia e Metës është e vetmja në gjithë burgun që nuk ka sinjal për të thirrur oficerin e policisë. Po ashtu, sipas tij, Meta ka 19 muaj që nuk ka takuar prindërit e tij të sëmurë, ndërsa shtoi që edhe komunikimet me Tedi Blushin nuk i ka në mënyrë direkte.
Sa i përket pamjes fizike dhe shëndetësore, Balliu theksoi se ish-presidenti është në ‘top formë’.
“Kisha dëshirë ta sqaroja për disa gjëra, por më sqaroi mua ai. E vetmja qeli në të gjithë burgun që nuk punon sinjali për të thirrur oficerin e policisë për një arsye që mund të ketë i burgosuri, vetëm kaq mjafton për të treguar se sa në imtësi ata merren me këto çështje.
Ilir Meta i përballon të gjitha, edhe atë kafazin që kërkojnë ta mbajnë me zor gjatë gjyqit. Ai kërkon atë që është më minimalja: komunikimin me deputetët e tij. Edhe me kreun e grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, duhet të flasë nëpërmjet dikujt tjetër, sepse nuk e lejojnë të flasë në mënyrë direkte.
Prej 19 muajsh nuk takon prindërit e tij që janë të sëmurë. Ai kërkon që seancat të jenë publike, që qytetarët të dëgjojnë ku Ilir Meta ka vjedhur qoftë një 1 cent të shtetit shqiptar. Qeveria po bën çmos që seancat gjyqësore të jenë të fshehta. Ju kujtoj Navalnyn, që iu dha e drejta për intervistë; Ilir Metës nuk i jepet mundësia.
E vetmja gjë që ai kërkon është transparenca me qytetarët. Nuk është këtu për vjedhje, por për denoncimin e aferave korruptive të Edi Ramës. Ndodhet prej gati 2 vitesh në paraburgim, pa asnjë akuzë.
Meta i ka ndjekur reagimet, mund t’ju them që është në ‘top formë’ për betejën. Ai i ndjek të gjitha, është super i qartë. Patjetër që çdo gjë që ndërmerr qeveria e bën prej frikës, sepse s’kanë gjetur asgjë. Për këtë arsye nuk duan që t’i bëjnë seancat publike.”, tha ai.