Politike
‘Rama lidhje me krimin e organizuar’, Nesho: SHBA i ka vënë kufirin, SPAK po godet kreun e organizatës
Agim Nesho bëri një deklaratë të fortë politike, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë “kufirin te thana” Kryeministrit Edi Rama dhe se toleranca ndërkombëtare ndaj tij ka marrë fund.
Sipas Neshos, goditjet e fundit të SPAK-ut nuk janë të rastësishme, por tregojnë se me mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane është korrigjuar shënjestra e drejtësisë për të goditur korrupsionin në majë të pushtetit dhe për të çmontuar atë që ai e cilëson si mekanizmin kriminal të qeverisjes Rama.
Ai theksoi se synimi final i këtij procesi është kapja e “kreut të organizatës”, duke e konsideruar këtë një moment kyç për fundin e pandëshkueshmërisë dhe të kapjes së shtetit.
Pjesë nga deklarata:
Pa diskutim, Flavio, ti e the vetë që kryeministri është kapur mat në gjithë këtë veprimtari, për arsye se nuk mund të justifikohet, në radhë të parë nuk mund të thotë se bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë mbushur paraburgimet ose janë në çështje të hetuara tashmë nga SPAK-u, “hanë dardha dhe kumbulla” pas shpinës së tij. Është fjala për nënkryeministren, një njeri që ka punuar ngushtë me zotin Rama dhe, në këtë kuptim, zoti Rama është i prekur drejtpërdrejt nga të gjitha aferat që po investigohen për zonjën Balluku. Prandaj, në këtë rast, goditja e SPAK-ut indirekt ka prekur zotin Rama, i cili ka edhe fakte të pamohueshme, sidomos për tenderin që ka zhvilluar në Turqi me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij.
Duhet të themi edhe një fakt tjetër: në Shqipëri, jo vetëm nga deklarimet e Arben Ahmetajt, një nga zyrtarët më të lartë që ka punuar për 11 vjet me zotin Rama dhe që ka kuptuar se si funksionon mekanizmi i këtij regjimi të korruptuar, kur ka thënë se kreu i organizatës është pikërisht kryeministri shqiptar, i cili, duke ndenjur në ballkonin e shtëpisë dhe duke ngrënë qofte, ka ndarë pjesë të pasurisë publike financiare të Shqipërisë. Ne kemi parë dhe kemi sot fakte konkrete për tunelin e Llogarasë dhe për shumë tendera të tjerë, ku dihet që kryeministri ka qenë jo vetëm dirigjues i tyre, por prej kohësh përdor edhe “lietenantët” e tij, zëvendësit e tij, për të firmosur në afera të tilla korruptive.
Prandaj, kjo veprimtari, në fakt, synon drejtpërdrejt afrimin dhe kapjen e kreut të organizatës, që është pikërisht kryeministri shqiptar. Ose, më saktë, ky duhet të jetë pikësynimi, për arsye se edhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë që Shqipëria të ketë një ecuri në integrimin e saj perëndimor, të respektojë kriteret kryesore të Kopenhagenit, vlerat dhe parimet perëndimore, dhe të mos jetë një shtet që është më tepër një autokraci lindore sesa një vend me perspektivë perëndimore. Prandaj, ky është një rast i mirë.
Rama është nga ata persona që blen në mënyrë të jashtëzakonshme influencë te europianët dhe e ka krijuar këtë sistem përmes burokratëve. Ne shohim nga dita në ditë fakte, edhe në televizionin tuaj të nderuar, se si pjesëtarë të familjeve të ambasadorëve, zyrtarë të lartë dhe burokratë të Brukselit, kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë në retorikat e tyre të shprehura pro Ramës. Por çdo gjë ka një kufi dhe dihet që europianët, ashtu si të përkrahin kur nuk merret vesh se çfarë ndodh në realitet, po ashtu edhe të lëshojnë menjëherë.
Kam përshtypjen se zoti Rama, pasqyrën më të qartë të veprimtarisë së shtetit të tij narko-shtet, e ka parë sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë vënë kufirin te thana. Duket se ai përpiqet të blejë influencë, por gjatë gjithë kësaj periudhe, të gjitha përpjekjet e tij kanë qenë të dështuara, sepse është një person tepër i komprometuar, një person që ka luajtur me shumë porta dhe është i pabesueshëm, aq më tepër që është kapur në një veprimtari, sidomos me krimin e organizuar, përfshirë takime dhe dhënie licencash kazinosh me Sinaloan, të cilat prekin drejtpërdrejt interesat jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.