Bota
Rubio shpall vdekjen përfundimtare të OKB-së
Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri thirrje për reformim urgjent të organizmave ndërkombëtarë, duke theksuar se “nuk jetojmë në një botë perfekte” dhe se rendi aktual global nuk po arrin t’u përgjigjet krizave të mëdha.
Rubio deklaroi se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka “potencial të jashtëzakonshëm”, por ka dështuar të zgjidhë konflikte madhore si lufta në Gaza dhe ajo në Ukrainë, duke u treguar “e pafuqishme herë pas here”.
Sipas tij, kjo situatë tregon nevojën për rindërtim dhe reformë të thellë të institucioneve ndërkombëtare.
“Në një botë perfekte, të gjitha këto probleme do të zgjidheshin nga diplomatë dhe rezoluta të forta. Por ne nuk jetojmë në një botë perfekte,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk mund të lejohet që aktorë që kërcënojnë stabilitetin global të fshihen pas “abstraksioneve të së drejtës ndërkombëtare”, të cilën sipas tij e shkelin vetë.
Rubio theksoi se organizatat ekzistuese nuk kanë nevojë të shpërbëhen, por të reformohen me urgjencë për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë dhe me realitetin gjeopolitik aktual.