Connect with us

Politike

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Rama: BE-ja e paplotë është e dobët dhe e cenueshme

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Yerevan të Armenisë.

Në një deklaratë për shtyp, ai e cilësoi si një mundësi për të treguar sa i rëndësishëm është unifikimi i Evropës.

“Një tjetër samit, një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet tona të përbashkëta dhe shqetësimet”, tha ai.

“Është një tjetër mundësi e mrekullueshme për të parë sa shumë gjëra mund të realizojmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të shkojmë më tej me unifikimin e Evropës”.

Sakaq, pyetjes se çfarë mund t’ju ofrojë Unioni vendeve që duan të anëtarësohen, Rama i është përgjigjur se “nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Evropën, me vetë Bashkimin Evropian”.

“Një Bashkim Evropian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Evropian i cili është i plotë”, shtoi ai.

Pas përfundimit të deklaratës për shtyp, kryeministri Rama hyri në vendtakimin ku do të mbahet Samiti i 8-të i Komunitetit Politik Evropian, ndërsa u mirëprit nga kryeministri armen, Nikol Pashinyan për të shkrepur edhe foton familjare.

Këtë të hënë të 4 majit nisin në Yerevan punimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, një nga forumet më të rëndësishme të dialogut politik në kontinent, ku pritet të marrin pjesë rreth 50 delegacione të nivelit të lartë.

Mes liderëve është edhe Kryeministri Rama, i cili ka njoftuar më herët udhëtimin drejt Armenisë për këtë takim të rëndësishëm.

Samiti zhvillohet nën moton “Ndërtimi i së ardhmes: unitet dhe stabilitet në Evropë” dhe pritet të trajtojë çështje kyçe si siguria, energjia, lidhjet infrastrukturore dhe qëndrueshmëria demokratike në një kontekst të tensionuar ndërkombëtar.

Komuniteti Politik Evropian, i krijuar në vitin 2022 me iniciativë të presidentit francez Emmanuel Macron, synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera të kontinentit.

Në Yerevan jane të pranishëm liderë të Unionit, përfshirë përfaqësues të lartë institucionalë, si dhe krerë shtetesh nga vende partnere.

Në një mesazh të publikuar të dielën nga Berlini, ku ndodhej për hapjen e një ekspozite personale, Rama theksoi se pjesëmarrja në këtë samit konfirmon rolin aktiv të Shqipërisë në nismat evropiane dhe rajonale.

Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë më herët mikpritëse e një prej samiteve të këtij formati, duke nënvizuar rëndësinë e këtij mekanizmi për dialog dhe koordinim politik në Evropë.

Samiti në Armeni pritet të shërbejë jo vetëm për diskutime mbi sfidat e përbashkëta, por edhe si një platformë për marrëveshje dypalëshe dhe thellim të bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse.

Advertisement