Connect with us

Bota

SEBEPI PER KUBEN, HAPET DOSJA RAUL CASTRO

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro, duke e lidhur atë me rrëzimin e dy avionëve civilë në vitin 1996, incident ku humbën jetën katër persona. Aktakuza u bë publike në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Havanës.

Sipas CNN, akuzat ndaj Castros përfshijnë komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, shkatërrim avioni dhe vrasje. Rasti lidhet me sulmin ndaj dy avionëve të organizatës kubano-amerikane “Vëllezërit për Shpëtimin”, një grup me bazë në Miami që në vitet ’90 kryente fluturime për të ndihmuar kubanezët që përpiqeshin të largoheshin nga ishulli drejt Shteteve të Bashkuara.

Në kohën e ngjarjes, Raúl Castro ishte Ministër i Mbrojtjes i Kubës. Prokurorët amerikanë pretendojnë se ai kishte rol në urdhërimin e sulmit. Katër persona u vranë, tre prej tyre shtetas amerikanë dhe një banor i përhershëm i SHBA-së.

Incidenti i vitit 1996 mbetet një nga ngjarjet më të rënda në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës pas Luftës së Ftohtë. Pas rrëzimit të avionëve, administrata e presidentit Bill Clinton dënoi ashpër veprimin e Havanës dhe nënshkroi Aktin Helms-Burton, i cili forcoi sanksionet ndaj Kubës dhe vendosi kufizime të mëtejshme ekonomike ndaj regjimit kubanez.

Padia ndaj Raúl Castros vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Administrata Trump ka zgjeruar së fundmi sanksionet ndaj Kubës, duke e cilësuar qeverinë e Havanës si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Paralelisht, ishulli po përballet me krizë të rëndë energjetike, pas ndërprerjes së furnizimeve me naftë dhe pas goditjes amerikane ndaj Venezuelës, aleates kryesore të Kubës në sektorin energjetik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu drejtua popullit kubanez me një mesazh në spanjisht, ku fajësoi qeverinë kubaneze për krizën ekonomike dhe mungesat e energjisë, karburantit dhe ushqimeve. Ai tha se Uashingtoni po ofron një rrugë të re për marrëdhëniet me një Kubë të ndryshme.

Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, i hodhi poshtë deklaratat e Rubios dhe tha se vështirësitë e ishullit janë pasojë e embargos amerikane dhe presionit ekonomik të Uashingtonit. Sipas tij, SHBA po përpiqet të fajësojë qeverinë kubaneze për dëmin që i shkakton popullit kuban përmes bllokadës.

Raúl Castro, 94 vjeç, është një nga figurat e fundit të gjalla të revolucionit kubanez. Ai u bë i njohur në vitin 1959, kur së bashku me vëllain e tij Fidel Castro mori pjesë në përmbysjen e regjimit të Fulgencio Batistës. Për dekada, ai ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në vend.

Në vitin 2006 Raúl mori përkohësisht drejtimin e shtetit dhe u bë zyrtarisht president në vitin 2008. Ai u tërhoq nga presidenca në vitin 2018, duke ia kaluar pushtetin Miguel Díaz-Canelit. Megjithatë, ai mbetet një figurë me peshë historike dhe politike në Kubë.

Aktakuza e re amerikane pritet të thellojë më tej krizën mes Uashingtonit dhe Havanës. Zyrtarë kubanë kanë paralajmëruar se çdo veprim ushtarak amerikan ndaj ishullit do të sillte pasoja të rënda. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel ka deklaruar se vendi është i përgatitur për çdo skenar dhe ka paralajmëruar se një sulm amerikan do të shkaktonte gjakderdhje.

Advertisement