Politike
Shabani mbetet Avokat i Popullit, Balla falenderon opozitën për kandidaturën
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka falënderuar deputetët e opozitës për propozimin e kandidaturës së Shabanit, duke deklaruar se Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi kanë vepruar në përputhje me Kushtetutën.
“Një falenderim për deputetët e opozitës për propozimin prej tyre të kandidaturës së Endri Shabanit për Avokat Populli. Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi ka vepruar tërësisht konform Kushtetutës dhe sot verdiktin e dha Gjykata Kushtetuese. Ky është shembull i mirë kur ka bashkëpunim”, shkroi Balla.
Reagimi i kreut të grupit parlamentar të PS-së vjen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kishin kundërshtuar procedurën e zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit. Me këtë vendim, zgjedhja e Shabanit mbetet në fuqi.
Çështja lidhet me votimin e 11 dhjetorit 2025, kur Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota në Kuvend. Pas vendimit të Kushtetueses, Shabani deklaroi se verdikti i jep fund pikëpyetjeve mbi procedurën e zgjedhjes së tij.
Balla e ka cilësuar vendimin si konfirmim të veprimit të Kuvendit dhe Komisionit të Ligjeve, ndërsa e ka paraqitur si një rast bashkëpunimi institucional dhe politik mes mazhorancës dhe opozitës.