Kronike
E rrëmbyen, e mbytën dhe e hodhën në liqen/ GJKKO pranon kërkesën e SPAK (DETAJET)
GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të dosjes për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u rrëmbye dhe u vra në zonën e Matit. Katër persona do të përballen me gjykimin për këtë ngjarje të rëndë.
Të pandehurit janë Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha, i njohur si Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ata akuzohen për rrëmbim ose mbajtje peng të personit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Dosja, e regjistruar me numrin 181 të vitit 2025, u shqyrtua në seancën paraprake të 27 nëntorit, pas kërkesës së SPAK të depozituar më 7 tetor.
Sipas hetimeve, katër të dyshuarit kanë ndjekur për disa ditë lëvizjet e Renis Dobrës, duke përdorur automjete të marra me qira në zona të ndryshme të Tiranës. Kamerat e sigurisë dhe të dhënat GPS të automjeteve kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë itinerarin e tyre në zonën e Burrelit dhe Klosit.
Mbrëmjen e 8 korrikut, dy prej tyre dyshohet se kanë pikasur automjetin e Dobrës pranë Urës së Matit dhe kanë njoftuar dy të tjerët. Sipas dinamikës së zbardhur nga hetimet, makina e 23-vjeçarit është bllokuar pranë Kroit të Suçit, ku ai është nxjerrë me forcë dhe është marrë në një automjet tjetër.
Prokuroria pretendon se i riu është dhunuar dhe më pas mbytur me litar brenda automjetit, përpara se trupi i tij të hidhej në liqenin e Shkopetit. Trupi u gjet në breg të liqenit, ndërsa makina e tij në ujë.
Si motiv i mundshëm i ngjarjes, hetuesit kanë dyshuar për konflikte të lidhura me çështje droge. Ndërkohë, Petrit Çakraj ka mohuar përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se ishte larguar pasi tre të tjerët kishin vijuar lëvizjen me një automjet tjetër.
Me kalimin e dosjes për gjykim, tashmë pritet shqyrtimi në themel i akuzave dhe provave të administruara nga SPAK. Të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.