✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kurti “ultimatum” BE-së: Mos e vononi integrimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të mos e mbajë më Kosovën në pritje dhe t’i japë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Gjatë Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, Kurti deklaroi se Kosova e ka merituar këtë hap përmes përparimit ekonomik dhe demokratik.

Ai theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, ndërsa rikujtoi se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim në BE.

Kurti i kërkoi Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës. Sipas tij, hapi i radhës duhet të jetë dhënia e statusit të kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim.

Në mbështetje të kërkesës së tij, kreu i qeverisë kosovare përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të vitit, shtimin e investimeve private dhe uljen e papunësisë nga 26 në 11 për qind.

Ai foli edhe për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke pranuar se zgjedhjet e përsëritura kanë ngadalësuar procesin dhe kanë ndikuar në humbjen e miliona eurove nga fondet e këtij programi.

Gjatë fjalës së tij, Kurti kritikoi gjithashtu pengesat në bashkëpunimin ekonomik rajonal, duke përmendur Serbinë dhe çështje si mosnjohja e diplomave dhe vështirësitë në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s.

Ai kërkoi që fondet e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor të shpërndahen në bazë të rezultateve dhe zbatimit të reformave. Në përfundim, paralajmëroi se vonesat në procesin e integrimit mund të dobësojnë besimin e qytetarëve të Kosovës te perspektiva evropiane.

Advertisement