Rajon
15-vjeçarja denoncon prindëri për shfrytëzim: Që kur isha 11 vjeçe, më “shisnin” kundrejt pagesës
Një histori tronditëse vjen nga Greqia, ku një 15-vjeçare në Agrinio ka denoncuar se ishte shfrytëzuar seksualisht që në moshën 11-vjeçare. Në qendër të akuzave janë vetë prindërit e saj, të cilët, sipas dëshmisë së të miturës, jo vetëm që ishin në dijeni të abuzimit, por dyshohet se kishin rol në të.
Para policisë, vajza ka identifikuar disa burra që, sipas saj, kryenin marrëdhënie seksuale me të kundrejt pagesës. Ajo ka rrëfyer gjithashtu se gjatë këtyre viteve ishte përballur me dhunë fizike të vazhdueshme nga nëna dhe babai.
Prokuroria e Agrinios ka ngritur një sërë akuzash të rënda, përfshirë trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturës, përdhunimin e përsëritur, bashkëpunimin në përdhunim dhe dhunën në familje. Nënës i atribuohet edhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë në abuzimin seksual, ndërsa të dy prindërit përballen me akuza për shfrytëzim seksual dhe dhunë ndaj vajzës.
Ngjarja u zbulua më 22 nëntor, kur 15-vjeçarja vendosi t’i tregonte një banori të fshatit për atë që pretendonte se kishte përjetuar. Ai e nxiti të kërkonte ndihmë në polici dhe e shoqëroi për të bërë denoncimin.
Një ditë më vonë, policia kontrolloi banesën e familjes dhe arrestoi prindërit fillimisht për shkelje të ligjit për lëndët narkotike. Gjatë kontrolleve në disa banesa u gjetën edhe sasi kanabisi.
Ekzaminimi mjeko-ligjor nuk evidentoi shenja përdhunimi, por ky konstatim nuk përjashton pretendimet për abuzim dhe shfrytëzim seksual. Hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast.