Connect with us

Ekonomi

Shoqëritë e kursim-kreditit arrijnë vlerën e 94 milionë eurove

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përmasat e këtij sektori janë rritur 8.3% me bazë vjetore. Pasi qëndroi në stanjacion gjatë tremujorit të dytë të vitit, në tremujorin e tretë ky sektor i është kthyer sërish rritjes.

Megjithëse ky sektor zë një peshë relativisht të vogël ndaj totalit të sektorit financiar në vend, ngelet i rëndësishëm sidomos për financimin e fermerëve dhe bizneseve të vogla në zonat rurale. Rreth 71% e aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit janë kredi të dhëna për anëtarët. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të arriti në 8.3 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, subjekti më i madh në treg është Fed Invest (ish-Unioni Shqiptar Kursim-Kredi) me rreth 55% të totalit të aktiveve, i ndjekur nga Alb-Progress me rreth 11% të tregut.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet në pjesën më të madhe te depozitat e anëtarëve. Në fund të shtatorit, depozitat përbënin rreth 73% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë, ato prekën shifrën e 8.6 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 9%.

Ndryshe nga sa ndodh në sistemin bankar, struktura e depozitave të SHKK-ve dominohet nga leku. 84% e depozitave totale pranë këtyre institucioneve janë në monedhën vendase. Aktualisht, Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një union të tyre.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit, që prej vitit 2017. Sipas ligjit, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve. Por, megjithëse ligji kërkon përfshirjen e tyre në skemën e administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), gjysma e SHKK-ve nuk e ka përmbushur këtë detyrim. Sipas informacionit zyrtar në faqen e ASD-së, numri i SHKK-ve të përfshira në skemën e sigurimit është vetëm shtatë. Anëtarësimi në skemën e sigurimit të depozitave është i kushtëzuar me plotësimin e një sërë kërkesash ligjore dhe teknike, të rregulluara me akte nënligjore.

Për t’u anëtarësuar në skemë, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, jo të gjitha SHKK-të kanë kapacitete të mjaftueshme për plotësimin e këtyre kritereve dhe kjo është arsyeja kryesore pse vetëm gjysma e tyre janë të anëtarësuara në skemë.

Monitor/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *