Aktualitet
SPECIALE | A do arrestohet Trump?/ Ja akuzat që i ‘tundin’ prangat
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të dalë këtë të martë para një gjykate në Manhatan, për shkak të padisë penale, që ka pasuar hetimet për një pagesë që dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels. Padia është një dokument gjyqësor, i cili përmban akuzat që janë miratuar nga një juri e madhe. Juria e madhe përbëhet prej një grupi njerëzish, të cilët vendosin nëse prokurori ka të dhëna të mjaftueshme për të ndjekur dikë penalisht. Padia e ngarkon zyrtarisht të pandehurin me krime, dhe ofron bazë për ndjekje ligjore. Pas padisë, i pandehuri njoftohet zyrtarisht për akuzat, e drejtë që ia garanton Amendamenti i Pestë i Kushtetutës amerikane. I pandehuri, më pas, mund të akuzohet zyrtarisht për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ndërkohë, zyrtarë për zbatim të ligjit sigurojnë shenjat e gishtërinjve të të pandehurit dhe ia bëjnë atij fotografitë që mbesin në arkivin e rastit. Leximi i aktpadisë do të thotë që i pandehuri del para gjykatës për të dëgjuar akuzat, dhe i jepet mundësia për t’u deklaruar, nëse e konsideron veten fajtor apo të pafajshëm. Gjykatësi ose prokurori zakonisht e lexon padinë me zë të lartë. I pandehuri zakonisht përfaqësohet nga avokatët, sidomos në rastet e profilit të lartë, apo ato që mund të rezultojnë me burgosje. Nëse i pandehuri deklarohet i pafajshëm, gjyqtari zakonisht e pranon deklarimin dhe e cakton seancën e radhës, apo edhe datën e mundshme të gjyqit. Nëse një i pandehur deklarohet fajtor, gjyqtari zakonisht e cakton datën për t’ia prezantuar masën ndëshkimore. Avokatët e Trumpit kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm. Avokatët e disa të pandehurve, që deklarohen të pafajshëm, mund të nisin negociatat me prokurorët për rezultatin e gjyqit, në rast të pranimit të fajësisë, ashtu që t’i ikin procesit gjyqësor.