Bota
Sulme ajrore, operacione speciale – Trump shqyrton ndërhyrjen në Venezuelë
Administrata e Donald Trump po shqyrton një sërë opsionesh ushtarake kundër presidentit venezuelian Nicolás Maduro, përfshirë sulme ajrore ndaj njësive që e mbrojnë, operacione speciale për kapjen ose eliminimin e tij dhe madje marrjen e kontrollit të fushave të naftës – raporton The New York Times, duke cituar disa zyrtarë amerikanë me dijeni për diskutimet.
Sipas raportimit, këshilltarët e presidentit po kërkojnë nga Departamenti i Drejtësisë një justifikim ligjor që mund të lejojë veprime të tilla pa nevojën për autorizim të Kongresit.
Një nga opsionet ligjore që po shqyrtohen është shpallja e Maduro-s si “narkoterrorist”, me qëllim shmangien e ndalimit amerikan për atentate ndaj udhëheqësve të huaj.
Sipas të njëjtit burim, tre skenarët kryesorë përfshijnë:
- sulme ajrore të synuara ndaj bazave ushtarake dhe objekteve të lidhura me trafik droge;
- operacione speciale të njësive elitare si Delta Force dhe SEAL Team 6 për të kapur ose vrarë Maduro-n;
- dhe një ndërhyrje më të gjerë tokësore, me objektiv marrjen e kontrollit të aeroporteve dhe fushave të naftës venezueliane.
Megjithatë, një operacion i tillë do të përbënte një rrezik të madh politik dhe ushtarak për Shtëpinë e Bardhë.
Trump, shkruan NYT, ka shfaqur hezitim për shkak të frikës se një ndërhyrje mund të dështojë ose të shkaktojë viktima amerikane.
Ai gjithashtu ka pyetur këshilltarët se “çfarë mund të fitojë SHBA në këmbim”, duke përmendur në mënyrë të përsëritur interesin për naftën venezueliane.
Raportimi shton se që prej gushtit, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe: rreth 10 mijë trupa, aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, bombardues B-52 dhe B-1, si dhe njësi të operacioneve speciale që zhvillojnë stërvitje pranë brigjeve venezueliane.
Disa zyrtarë e konsiderojnë këtë si pjesë të një “fushate presioni psikologjik” ndaj Maduro-s.
Në aspektin ligjor, administrata po mbështetet te precedenti i vitit 2020 për vrasjen e gjeneralit iranian Qassim Suleimani, që u justifikua si “veprim mbrojtës”.
Por ekspertët paralajmërojnë se zbatimi i së njëjtës logjikë për një president në detyrë do të krijonte precedent të rrezikshëm në të drejtën ndërkombëtare.
Megjithëse disa figura të larta si sekretari i shtetit Marco Rubio dhe këshilltari Stephen Miller mbështesin ndërhyrjen, Trump mbetet i pavendosur.
“Presidenti ka qenë i qartë: do të godasim narkoterroristët që trafikojnë drogë. Çdo gjë tjetër është spekulim”, deklaroi një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë për NYT-në.
Për momentin, ndërhyrja mbetet vetëm në fazën e planifikimit, por sipas burimeve të The New York Times, “diskutimet janë më përpara se kurrë më parë”.