Kronike
Tmerr në mesnatë/ Breshëri plumbash drejt lokalit me shqiptarë, plagoset vajza 10-vjeçare
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali të frekuentuar nga shqiptarë.
Të shtënat u regjistruan pak pas mesnatës, rreth orës 23:50.
Sipas të dhënave paraprake, autorët lëviznin me një automjet dhe kanë qëlluar disa herë drejt fasadës së kafenesë “Amora”.
Mes personave që ndodheshin në lokal ishte edhe vajza 10-vjeçare e pronarit, me origjinë shqiptare.
E mitura mbeti e plagosur në këmbën e majtë, në pjesën e pulpës, dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Fëmijëve nga nëna e saj.
Në momentin e sulmit, në kafene ndodheshin rreth 10 persona, të gjithë shtetas shqiptarë.
Sipas informacioneve të para, në automjetin nga ku u krye sulmi ndodheshin katër persona.
Ata kanë qëlluar nga brenda makinës dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Automjeti i dyshuar se është përdorur në sulm është gjetur i djegur pak kohë më vonë.
Ende nuk është përcaktuar nëse 10-vjeçarja është plagosur drejtpërdrejt nga një plumb apo nga një copëz e shkaktuar prej të shtënave.
Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të sulmit.
Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, 10-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

