Connect with us

Politike

U largua nga PS-ja/ Koçeku paralajmëron: Zëri i protestuesve do të hyjë në Kuvend

Deputetja e larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Marjana Koçeku ka ndarë një videomesazh për të gjithë ndjekësit dhe qytetarët, në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, duke njoftuar se edhe ajo vetë është zyrtarisht e pavarur.

Ajo paralajmëron se rikthimi në punë i deputetëve do të ketë plot dinamika e ngjarje të reja, të ndikuara nga aktualiteti politik, por edhe nga protesta qytetare që vazhdon prej më shumë se 100 ditësh.

“Kjo është dita e parë e sesionit të parë parlamentar dhe njëkohësisht është dita ime e parë si deputete e pavarur. Padyshim që ky sesion i ri parlamentar ka për të qenë me plot dinamika, veçanërisht prej ndodhive politike muajt e fundit dhe protestës qytetare të vazhdueshme në rrugët e vendit tonë. 

Kjo është një gjë e mirë sepse tregon se qytetarët po zgjohen dhe më në fund demokracia po bëhet aktive. Kjo tregon se ne kemi kujt t’i shërbejmë. Zëri i qytetarëve jashtë Parlamentit, duhet me ardh edhe më i fortë në Parlament, jo me u tentu me u hesht, me u zvogëlu, apo me u shmang, por me u përfaqësu me shumë përgjegjësi”, shprehet deputetja Marjana Koçeku.

Në ditët kulminante të protestës qytetare, ajo vendosi të largohej nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke pretenduar se mënyra sesi kjo forcë politike me në krye Edi Ramën, po qeverisë Shqipërinë, nuk është ajo që i është premtuar kur vendosi të futej në politikë.

Menjëherë pas reagimit publik ku lajmëronte largimin nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku u shfaq në mesin e protestuesve përpara Kryeministrisë dhe qytetarët e mbështetën.

“Unë hyj në Parlament si deputetet e pavarur me një përgjegjësi shumë të madhe publike, për të përfaqësuar ata qytetarë që kërkojnë drejtësi, transparencë dhe shërbim për të mirën publike. Shihemi së shpejti”, përmbyll deputetja.

Advertisement