Politike
ORA 09:30, MOMENTI I TE VERTETES PER ERION VELIAJN
Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë sot çështjen që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas njoftimit zyrtar, shqyrtimi do të zhvillohet në dhomë këshillimi, në orën 09:30.
Çështja është rikthyer për shqyrtim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar që të argumentohet nevoja e masës së arrestit në burg dhe arsyeja se përse nuk mund të aplikohet një masë më e lehtë.
Gjykata e Lartë pritet të vlerësojë kështu proporcionalitetin e masës së sigurisë, duke marrë në konsideratë edhe argumentet e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, mbrojtja ndërkombëtare e Veliajt po përgatit një aplikim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Avokati britanik Ben Brandon ka deklaruar se mbrojtja e Veliajt pretendon se prej më shumë se 14 muajsh i është mohuar mundësia për të takuar klientin e saj.
Brandon e ka cilësuar paraburgimin e kryebashkiakut si “të panevojshëm dhe joproporcional”, duke kërkuar përfundimin e masës.
Në krahun tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka paralajmëruar se lirimi i Veliajt do të ishte, sipas tij, “funerali përfundimtar i Reformës në Drejtësi”.
Bardhi pretendon se Veliaj është marrë i pandehur për vepra që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.
Ai u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të monitorojnë procesin, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.
Sot, Gjykata e Lartë pritet të përcaktojë nëse masa e arrestit në burg ndaj Erion Veliajt do të mbetet në fuqi apo do të zëvendësohet me një masë më të lehtë.