✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Veliaj në gjendje të rënduar shëndetësore? Ndreca letër Burgjeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, u është drejtuar me dy shkresa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë mjekësor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kërkesa lidhet me ekzaminimet e kryera më 7 nëntor në spital, pas të cilave, sipas informacioneve të përcjella nga avokati, është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Ndreca kërkon që t’i dërgohen raporti dhe imazhet e rezonancës magnetike, konstatimet e mjekut ortoped dhe rekomandimet për trajtimin e mëtejshëm. Dokumentacioni, sipas tij, nevojitet për t’u konsultuar edhe me mjekë specialistë të pavarur në Tiranë, në mënyrë që të vlerësohen gjendja shëndetësore e Veliajt dhe urgjenca e ndërhyrjes së mundshme.

Në shkresën e parë, avokati pretendon se, pavarësisht kërkesës së datës 7 nëntor, nuk ka marrë ende dokumentet e kartelës shëndetësore dhe as informacion mbi rekomandimet mjekësore. Ai thekson se kanë kaluar dy ditë nga ekzaminimi dhe se mungesa e dokumentacionit pengon konsultimin me specialistë të tjerë.

“Ju kërkoj për herë të fundit të më vini menjëherë në dispozicion, në rrugë elektronike, dokumentacionin e plotë mjekësor të klientit tim, përfshirë raportin dhe imazhet e MRI-së, konstatimet e mjekut ortoped dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale”, shkruan Ndreca.

Letrat e plota:

Letra 1: “Të nderuar,

Pavarësisht kërkesës sime të datës 07.11.2026, të përsëritur për shkak të urgjencës së situatës shëndetësore të klientit tim, z. Erion Veliaj, deri në këtë moment nuk më është vënë në dispozicion asnjë dokument nga kartela e tij shëndetësore dhe asnjë informacion mbi rekomandimet mjekësore për trajtimin e mëtejshëm.

Ju rikujtoj se, sipas informacioneve të marra nga klienti im dhe personeli shëndetësor i IEVP Fier, ekzaminimet e datës 07.11.2026 kanë evidentuar nevojën për ndërhyrje urgjente kirurgjikale.

Kanë kaluar tashmë dy ditë nga ekzaminimi dhe ende nuk kemi mundësi të konsultojmë rezultatet me mjekë specialistë të pavarur, për të vlerësuar gjendjen, urgjencën dhe mënyrën më të përshtatshme të trajtimit.

Është e papranueshme që, në një situatë të tillë, sigurimi i dokumentacionit mjekësor të pengohet nga mungesa e përgjigjeve apo nga procedura administrative të zvarritura.

Ju kërkoj për herë të fundit të më vini menjëherë në dispozicion, në rrugë elektronike, dokumentacionin e plotë mjekësor të klientit tim, përfshirë raportin dhe imazhet e MRI-së, konstatimet e mjekut ortoped dhe rekomandimet për ndërhyrjen kirurgjikale.

Nëse ekziston ndonjë pengesë konkrete për dorëzimin e dokumentacionit, kërkoj të më komunikohet menjëherë, me shkrim, së bashku me bazën ligjore përkatëse dhe mënyrën e zgjidhjes së saj.

Çdo orë vonesë në marrjen e këtij dokumentacioni pengon mundësinë për një vlerësim të pavarur dhe vendimmarrje të informuar për trajtimin e klientit tim.

Ju bëj të qartë se çdo mosveprim i mëtejshëm do të dokumentohet dhe do t’u nënshtrohet verifikimeve për përcaktimin e përgjegjësive institucionale dhe individuale, përfshirë pasojat e mundshme mbi shëndetin e z. Veliaj.

Pres përgjigjen tuaj të menjëhershme dhe përcjelljen e dokumentacionit të kërkuar, pa asnjë vonesë tjetër.

Me respekt,

Plarent Ndreca

Avokat i z. Erion Veliaj”.

 

Letra 2: “Të nderuar,

Mora përgjigjen tuaj lidhur me kërkesën time, të cilën e keni regjistruar me nr. 1620 prot., datë 09.11.2026, ndonëse ju është dërguar që më datë 07.11.2026, për një çështje të natyrës urgjente shëndetësore.

Konstatoj se përgjigjja juaj nuk i jep zgjidhje kërkesës konkrete për vënien në dispozicion të dokumentacionit mjekësor të krijuar nga institucioni juaj gjatë ekzaminimit të z. Erion Veliaj, më datë 07.11.2026.

Referimi te detyrimi për mbrojtjen e të dhënave personale nuk përbën shkak ligjor për refuzimin e aksesit të vetë pacientit në dokumentacionin e tij shëndetësor apo të përfaqësuesit të autorizuar prej tij. Po kështu, fakti që kartela shëndetësore e një të paraburgosuri administrohet nga IEVP Fier nuk e përjashton përgjegjësinë e institucionit tuaj për dokumentacionin që vetë ka krijuar, përpunuar apo ruan.

Ju rikujtoj se nuk kam kërkuar kartelën e përgjithshme shëndetësore të administruar nga IEVP Fier, por rezultatet e ekzaminimit radiologjik, raportin përkatës dhe çdo konstatim apo rekomandim të specialistëve të spitalit tuaj.

Për këtë arsye, ju kërkoj:

Të konfirmoni nëse dokumentacioni i ekzaminimit të datës 07.11.2026 administrohet ose ruhet nga institucioni juaj.

Të më vini menjëherë në dispozicion raportin e MRI-së, imazhet përkatëse dhe çdo raport apo rekomandim mjekësor të hartuar gjatë ekzaminimit.

Nëse dokumentacioni i është përcjellë IEVP Fier, të identifikoni datën, mënyrën e përcjelljes dhe dokumentet konkrete të dorëzuara.

Kërkesa ime nuk ka të bëjë me informacionin shëndetësor të një personi të tretë, por me dokumentacionin e klientit që përfaqësoj, për qëllime të drejtpërdrejta të mbrojtjes së shëndetit dhe interesave të tij ligjore. Sipas informacioneve të marra, gjendja shëndetësore e z. Veliaj mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale. Dokumentacioni kërkohet për konsultim të menjëhershëm me mjekë specialistë në Tiranë, për të vlerësuar nevojën, urgjencën dhe mënyrën e trajtimit.

Orientimi i kërkesës nga një institucion te tjetri, pa mundësuar aksesin në dokumentacionin e kërkuar, krijon vonesa të pajustifikuara në një proces vendimmarrjeje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e pacientit. Ju kërkoj trajtimin me përparësi të kësaj kërkese dhe përcjelljen e dokumentacionit në rrugë elektronike, në mënyrë të sigurt, brenda ditës së sotme.

Ju bëj të qartë se çdo vonesë e mëtejshme e pajustifikuar në dhënien e dokumentacionit, nëse pengon trajtimin në kohë apo kontribuon në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të klientit tim, do të ngrejë çështjen e përgjegjësisë ligjore të institucionit dhe të zyrtarëve përgjegjës. Veprimet dhe mosveprimet përkatëse do t’u nënshtrohen verifikimeve nga autoritetet kompetente.

Në pritje të përgjigjes suaj të menjëhershme.

Me respekt,

Plarent Ndreca

Avokat i z. Erion Veliaj

Për dijeni: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; znj. Klodiana Spahiu”.

Advertisement