Kronike
Nga Ajman Park, Sols Farm te vila me vlere 1 mln euro në Dhermi, çfare iu sekuestrua Çopjave
Resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj, agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk, një vilë me vlerë 1 milion euro në Dhërmi dhe 25 automjete luksoze janë ndër pasuritë e sekuestruara nga SPAK në kuadër të hetimeve ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Vlera e përgjithshme e aseteve të vendosura nën sekuestro llogaritet në rreth 9 milionë euro.
SPAK ka zbardhur një pjesë të pasurive që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të organizatës Çopja-Çela, e akuzuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Në kuadër të hetimeve janë vendosur nën sekuestro prona të paluajtshme, biznese, automjete dhe shuma të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal ose janë përdorur për pastrimin e produkteve të tij.
Mes aseteve më të rëndësishme është resorti luksoz “Ajman Park”, në Xhafzotaj të Durrësit, një vilë në kompleksin “Ionian Olea” në Dhërmi dhe agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk.
Pasuritë e Franc Çopjas
Në emër të Franc Çopjas është vendosur sekuestro mbi 100 për qind të kuotave të kompanisë “Check Company”, si dhe 25 automjete në pronësi të saj.
Sipas vlerësimit të kryer gjatë hetimeve, automjetet kanë një vlerë të përafërt prej 70 milionë lekësh.
Resorti “Ajman Park” dhe vila 1 milion euro në Dhërmi
Një tjetër person ndaj të cilit janë marrë masa është Fadil Balla. Atij i është sekuestruar resorti “Ajman Park”, në Xhafzotaj të Durrësit.
Sipas ekspertimit, në këtë kompleks janë investuar rreth 463 milionë lekë.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihet edhe një vilë dykatëshe në kompleksin rezidencial “Ionian Olea”, në Dhërmi, me një vlerë tregu prej rreth 1 milion eurosh.
Në kuadër të të njëjtit hetim, Albin Çelës i janë sekuestruar gjashtë prona në zonën e Sharrës, në Tiranë.
Mes tyre ndodhet edhe një sipërfaqe ku janë ndërtuar kapanone industriale dhe godina për aktivitet tregtar. Nën sekuestro është vendosur gjithashtu edhe një vilë e porositur pranë kompanisë “NG Structures”.
Ndërkohë, Riza Çelës i është sekuestruar një sipërfaqe toke bujqësore prej 5.900 metrash katrorë.
Sipas ekspertimeve financiare, Albin dhe Riza Çela kanë investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa ndërtimi i katër objekteve mbi këto prona ka kushtuar më shumë se 1,2 milionë euro.
“Solis Farm” dhe 130 mijë euro para cash
Një tjetër aset i rëndësishëm në listën e pasurive të sekuestruara është agroturizmi “Solis Farm”, në zonën e Mumajesit, në Baldushk.
SPAK ka vendosur nën sekuestro të gjitha kuotat e këtij biznesi, dy prona, si dhe godinën e restorantit, së bashku me pajisjet dhe orenditë që ndodhen brenda tij.
Përveç pasurive të paluajtshme dhe bizneseve, autoritetet kanë sekuestruar edhe 130 mijë euro para cash, automjete të tjera dhe sende me vlerë.
Në total, vlera e pasurive të vendosura nën sekuestro arrin në rreth 9 milionë euro, duke nxjerrë në pah përmasat e investimeve që po hetohen nga SPAK në kuadër të dosjes së trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Hetimet synojnë të zbardhin burimin e këtyre pasurive dhe lidhjen e tyre të dyshuar me aktivitetin kriminal të organizatës Çopja-Çela.