Connect with us

Bota

10 njerëzit më të rëndësishëm të vitit 2020 në shkencë

Pa dyshim, 2020 ishte një vit shumë i ndryshëm nga zakonisht. E megjithatë, disa zakone nuk ndryshojnë. Përkundrazi, sot ato kanë më shumë kuptim se kurrë. Si gjithnjë, revista “Nature” ka përpiluar klasifikimin e 10 njerëzve më të rëndësishëm në shkencë për vitin 2020.

Shumë – shumë hapësirë – nuk mund të ndodhte ndryshe – u është dhënë personaliteteve që kanë qenë në frontin e parë për të ndalur pandeminë e koronavirusit – nga Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë te Kathrin Jansen, përgjegjëse e vaksinës Pfizer, te Zhang Yongshen, i cili ishte i pari që ndau në sekuenca gjenomën e Sars-Cov-2 etj.

Lexoni më poshtë klasifikimin e plotë.

 

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtues i OBSH

Në vend të parë në klasifikim gjejmë Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtues i OBSH-së, i cili befas e gjeti veten të detyruar të menaxhonte krizën më të rëndë shëndetësore të 100 viteve të fundit. Ghebreyesus është një biolog nga Etiopia. Nga viti 2005 deri në vitin 2012 ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë në Etiopi, duke reformuar tërësisht sistemin shëndetësor të vendit dhe duke përmirësuar aksesin te kurat shëndetësore për miliona njerëz. Nga viti 2009 u zgjodh president i Fondit Botëror kundër AIDS, tuberkulozit dhe malaries dhe në 2017-n, u zgjodh drejtuesi i parë i përgjithshëm i OBSH nga Afrika.

Që në fillim, ai identifikoi pesë përparësi për organizatën: mbulimi shëndetësor universal, emergjencat, shëndeti nënë – fëmijë dhe adoleshentëve, pasojat e ndryshimeve klimatike dhe mjedisore në shëndet dhe reformimi i OBSH-së. Në vitin 2018, u shpenzuan shumë para për të luftuar një epidemi të Ebolas në Kongo. Ai e vizitoi vendin disa herë, duke vënë në rrezik edhe shëndetin e tij: falë ndërhyrjes së shpejtë të organizatës, 300,000 njerëz morën një vaksinë.

Sfida më e madhe, ende e papërfunduar, mbetet sigurisht ajo kundër Sars-Cov-2: “Prioriteti ynë, – shpjegoi ai për Nature – në këtë moment mbetet ai për të luftuar Covid-19, duke u siguruar që të gjitha kombet të kenë qasje te vaksina”.

 

Verena Mohaupt, në kërkimin për arinjtë polarë

Largojmë sytë për pak nga Covid. Shkojmë në Veri, drejt Arktikut më saktë. Aty ku Verena Mohaupt, kordinatore e Multidisciplinar Drifting Observatory for the Study of Arctic Climate (Mosaic), prej vitit 2019 studion pasojat e ndryshimeve klimatike tek ekosistemi polar, duke vënë në rrezik edhe jetën. Në 2019, ajo kaloi muaj të tërë mes akujve dhe dimrit të gjatë dhe të errët në Arktik, nën shoqërinë e pak kolegëve dhe arinjve polarë.

Ajo ka projektuar dhe mbajtur një kurs për të ndihmuar eksploruesit se si të mbijetojnë në kushte ekstreme, duke dhënë udhëzime se si të shpëtojmë nga një helikopter që rrëzohet, te përballimi i pasojave psikologjike të izolimit, gjetja e ushqimit dhe mbijetesa ndaj të ftohtit. Dhe ka mbledhur të dhëna të paçmueshme për të kuptuar dhe për të kundërvepruar me efektet e ngrohjes globale.

 

Gonzalo Moratorio, gjuetari i virusit

Gonzalo Moratorio është bërë si një hero kombëtar në Uruguai. Ai ka qenë i dobishëm duke ndihmuar vendin të zbusë pasojat më të këqija të pandemisë. Moratorio është një virolog në Institutin Pasteur dhe Universitetin e Republikës së Montevideo. Së bashku me kolegët e tij, ai ka projektuar një test për koronavirusin dhe një program kombëtar për ta zbatuar në popullatë.

Kjo sipërmarrje ka qenë thelbësore për të përmbajtur infektimet në Uruguai, i cili për momentin është një ndër vendet që e kanë përballuar më mirë pandeminë. Deri më tani, numri i të vdekurve nga koronavirusi në Uruguai është 87 persona. Që në fillim, Moratorio deklaroi se mënyra e vetme për të ndalur infektimin është gjurmimi intensiv dhe izolimi i atyre që rezultojnë pozitivë.

 

Adi Utarini, lamtumirë Dengue

Vendi i katërt, për një betejë kundër një krize shëndetësore më pak të diskutuar por jo më pak dramatike – beteja kundër Dengue – një sëmundje që prek çdo vit thuajse 400 milionë persona dhe vret rreth 25 mijë. Në këtë rast, protagonistja është Adi Utarini, eksperte e shëndetit publik në Gadjah Mada University, në Indonezi, e cila këtë vit ka koordinuar një eksperiment dhe ka arritur një rënie me 77% të rasteve me Dengue në qytetin e Yogyakarta.

Kjo mund të përfaqësojë fillimin e fundit të një beteje të gjatë kundër sëmundjeve virale që transmetohen nga mushkonjat, si Dengue natyrisht, por gjithashtu edhe Zika-n dhe chikungunya. Utarini duket mjaft optimiste në këtë pikë. “Mendoj se kjo teknologji mund të jetë, më së fundi, një rreze drite në errësirë”- tha ajo për Nature.

 

Kathrin Jansen, shkencëtarja e vaksinës

Kohët e fundit, mbreti Mida në fushën e vaksinës është një grua. Po flasim për Kathrin Jansen, drejtuese e departamentit të vaksinave të Pfizer, mendja e cila qëndron pas zhvillimit të vaksinës së parë Rna në histori dhe vaksinës së parë kundër Covid të miratuar nga Fda. Falë energjisë së saj, të cilën shumë prej bashkëpunëtorëve e përshkruajnë si të pandalshme, kompania arriti nëpërmjet një teknologjie ende eksperimentale dhe të pamiratuar kurrë, ta shndërrojë atë në një vaksinë efektive.

 

Zhang Yongzhen, shkencëtari që kuptoi lidhjen me Sars-Cov-2

Beteja shkencore ndërkombëtare kundër Covid-19 nisi zyrtarisht mëngjesin e 11 janarit në Shangai. Në atë moment, Zhang Yongzhen, pas disa ditësh hezitimi, publikoi online gjenomën e virusit që po shkaktonte bronkopolmoni të çuditshme në Wuhan. Puna e Zhang i tregoi botës që bëhej fjalë për një koronavirus të ngjashëm me atë që kishte shkaktuar epideminë e Sarsit në 2003, gjë që i lejoi atij dhe kolegëve të tij ta studionin gjerësisht për proteinat kryesore, pikat e dobëta dhe mutacionet, për të zhvilluar teste diagnostikuese dhe për të kërkuar vaksina dhe trajtime.

“Ishte dita më e rëndësishme pas shpërthimit të pandemisë” – komentoi në lidhje me këtë çështje, Linfa Wang, virologe e Duke National University of Singapore Medical School. Vetëm pas 40 orësh punë, ekipi i Zhang kuptoi se virusi ishte në njëfare mënyre i lidhur me atë të Sars. Më pas, ata i dërguan të dhënat e mbledhura në National Center for Biotechnology Information (Ncbi) në SHBA dhe, pas vërtetimit të tyre, autorizuan publikimin e të dhënave.

 

Chanda Prescod-Weinstein, kozmologia e materies së errët

Viti 2020 nuk ka qenë aspak i keq për Chanda Prescod-Weinstein, ajo ka fituar dy financime për kërkime, përfundoi së shkruari librin e parë dhe njoftoi fillimin e një tjetri. Ajo u bë bashkëdrejtuese e një grupi shkencëtarësh që merret me kërkimin në hapësirë të të dhënave që na lejojnë të kuptojmë se çfarë është lënda e errët dhe nga se përbëhet.

 

Li Lanjuan, promovuesja e ‘lockdown’

Li Lanjuan, është epidemiologe kineze në Zhejiang University. Në vitin 2003 ajo u emërua drejtuese e departamentit shëndetësor të Zhejiang. Por epidemiologia u bë e njohur që prej epidemisë Sars, kur e konsideroi të nevojshme vendosjen e karantinës për mijëra njerëz që kishin pasur kontakt me pacientë pozitivë ndaj sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (pikërisht Sars).

Më 18 janar, Li Lanjuan, së bashku me disa ekspertë të tjerë, u dërgua në Wuhan për të vlerësuar përhapjen e koronavirusit në qytet. Duke kuptuar rrezikun e tij, vetëm disa ditë më vonë, bindi qeverinë që të zbatonte mbylljen totale të qytetit (para Vitit të Ri Kinez). Lockdown bllokoi 11 milionë banorë të qytet. “Nëse infeksioni do të vijojë të përhapet, edhe provinca të tjera do të humbin kontrollin si Wuhan” – pati deklaruar epidemiologia më 22 janar në një intervistë për një televizion shtetëror kinez. “Ekonomia dhe shoqëria do të vuajnë shumë”.

Alarmi i saj kontribuoi në mënyrë vendimtare në vendosjen e një lockdown të ashpër për 76 ditë. Masa drastike që rezultuan të rëndësishme për kontrollimin e epidemisë. Sipas disa ekspertëve, lockdown ia doli të vononte përhapjen e koronavirusit në Kinë me 3 – 5 ditë, duke u dhënë kohë rajoneve të tjera të përgatiteshin.

 

Jacinda Ardern, përgjigjja e politikës ndaj pandemisë

Jacinda Ardern është kryeministrja e Zelandës së Re. “Duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri. Duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për të mbrojtur shëndetin e bashkatdhetarëve tanë”. Dhe këtë e bëri me veprime konkrete: qeveria Ardern ka ndarë rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për t’iu përgjigjur Covid-19, më shumë se shumica e vendeve të tjera. Rezultati, deri më tani, është më se pozitiv: Zelanda e Re (e cila, duhet thënë, sigurisht që gëzon disa faktorë mbrojtës krahasuar me kombet e tjera, duke qenë një ishull i largët dhe i populluar pak) ka arritur të përballojë me sukses të dy valët e Covid -19, me vetëm 2 mijë raste dhe 25 vdekje të regjistruara.

 

Anthony Fauci, mburoja amerikane

Ka qenë drejtues i Us National Institute of Allergy and Infectious Disease (Naid), dhe ka mbështetur 6 presidentë, duke dhënë konsulencën e tij mbi armët biokimike dhe përmbajtjen e shpërthimeve të HIV, Ebola dhe Zika. Sot Anthony Fauci, shfaqet në titujt e mediave si “mjeku i një kombi të tërë” për shkak të rolit të tij si këshilltar qeveritar dhe zëdhënës publik gjatë pandemisë Covid-19

Monitor/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

E rëndë/ Sulmohen me thikë tre gra, autori qëllohet nga policia (DETAJET)

Në qytetin suedez të Vasteras tre gra të moshës nga 65 deri në 80 vjeç, u sulmuan me thikë nga një person i panjohur.

Njëra nga gratë dhe sulmuesi janë dërguar në spital me lëndime të rënda.

Policia tha se ka qëlluar autorin e ngjarjes.

Continue Reading

Bota

U vranë mbi 8000 njerëz, BE thirrje mos të mohohet gjenocidi në Srebrenicë

Bashkimi Evropian i ka përsëritur thirrjet të premten që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, në një kohë kur është duke u diskutuar një draft-rezolutë në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Paralajmërimi i debatit dhe miratimit të mundshëm të draft-rezolutës në Nju Jork në fillim të majit, ka nxitur shumë reagime në Serbi dhe nga politikanët serbë në vendet e tjera të rajonit.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Evropë “nuk ka vend” për mohimin e gjenocidit, e as për “revizionizëm dhe glorifikimin e kriminelëve në luftës”.

Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë më 1995 në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

 

 

“Në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon ka ende tendencë për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë. BE-ja refuzon çdo mohim, relativizëm, apo keqinterpretim të gjenocidin në Srebrenicë. Gjenocidi është gjenocid dhe ashtu edhe duhet të quhet”, tha Stano.

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e miratoi të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët.

Stano u bëri thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë “të jenë në krye të rrugës që respekton viktimat dhe promovon pajtimin”.

Ai nënvizoi se “nuk është çështje e opinionit” se a është kryer gjenocid në Srebrenicë, por është “fakt historik i vërtetuar ligjërisht” nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë më 2004 dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007.

Presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve të enjten se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Stano ishte i ashpër edhe me thirrjet e vazhdueshme të Dodikut për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Uniteti, integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të vihet në pikëpyetje. Idetë dhe veprimet ndarëse vetëm sa do t’i izolojnë autorët e tyre më shumë dhe të sjellin më shumë probleme për qytetarët duke i mbajtur ata peng të tyre”, tha Stani duke rikujtuar se BE-ja ka në duart e saj edhe kornizën për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që e rrezikojnë integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës./Rel/

Continue Reading

Bota

“Nuk i besojmë udhëheqjes së Kievit/ Lavrov i prerë: Rusia nuk i ndalon luftimet

Rusia nuk ka ndërmend të ndërpresë armiqësitë me Ukrainën edhe nëse të dy vendet angazhohen në bisedimet e paqes, pasi Kievi e ka dëshmuar veten të jetë një aktor jo i besueshëm, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Në një intervistë për mediat ruse të premten, diplomati theksoi se Moska nuk i beson udhëheqjes në Kiev.

“Ne kemi thënë se jemi gati për negociata, por – ndryshe nga historia e Stambollit – nuk do të bëjmë asnjë pauzë në luftimet gjatë negociatave. Procesi duhet të vazhdojë”, tha ai.

Të dyja palët nuk kanë biseduar drejtpërdrejt me njëra-tjetrën që nga ulja e tyre në Stamboll në fund të marsit 2022. Rusia, e cila fillimisht shprehu kënaqësinë me rezultatet e takimit dhe tërhoqi forcat e saj nga periferitë e Kievit, por më vonë akuzoi Ukrainën se hodhi poshtë përparimin e arritur në Turqi, duke thënë se Moska kishte humbur besimin te negociatorët e Kievit.

 

 

Ministri i Jashtëm vuri në dukje se një pengesë e madhe për çdo proces paqeje që presidenti ukrainas Zelensky “e ndaloi veten të negociojë” me autoritetet aktuale në Moskë. Ai i referohej një dekreti që Zelensky nënshkroi në vjeshtën e vitit 2022, i cili ndalonte qeverinë e tij nga çdo bisedë me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Continue Reading

Bota

Mbante mbi trup një jelek me eksploziv, arrestohet një person në konsullatën iraniane

Një person u arrestua sot në Paris pas kërcënoi se do të hidhte veten në erë në konsullatën iraniane në lagjen e 16-të kryeqytetit francez, jo shumë larg Kullës Eifel. Rreth orës 11 të mëngjesit të së premtes, burri u pa nga një dëshmitar teksa po hynte në selinë konsullore iraniane.

Pasi u fut në ndërtesë, ai kishte hequr pallton duke zbuluar “një jelek me bombë shpërthyese të bërë vetë”, me qëllim për t’u hakmarrë për vdekjen e vëllait të tij, thotë Reuters, por pa saktësuar se për çfarë rasti bëhet fjalë.

Prefektura e Parisit saktësoi se konsullata iraniane bëri një “kërkesë për ndërhyrje” dhe forcat speciale u dërguan në vendngjarje. Si masë sigurie dhe me urdhër të policisë, linja gjashtë e metrosë u ndërpre dhe zona u rrethua, ndërkohë që po vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Continue Reading

Bota

Izraeli përgjigjet ndaj Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan

Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit në shenjë hakmarrjeje orët e para të mëngjesit të 19 prillit, një veprim që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin rajonin e Lindjes së Mesme. Izraeli kishte paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë e raketa.

Mediat raportojnë se ka pasur shpërthime në Isfahan, pranë një baze ushtarake. 3 shpërthime janë dëgjuar, ndërsa autoritetet iraniane thonë se kanë rrëzuar të tre dronët e nisur nga Izraeli, duke hedhur poshtë raportimet për sulm raketor.

Menjëherë pas sulmit, Teherani aktivizoi sistemin e mbrojtjes ajrore, ndërsa tha se centralet bërthamore janë të sigurta. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme, citojnë mediat shtetërore iraniane një gjeneral ushtrie.

Për shkak të sulmit u pezulluan fluturimet në disa aeroporte, ndërsa tashmë gjendja është kthyer në normalitet. Fluturimet kanë nisur edhe në aeroportin kryesor të Teheranit, Imam Khomeini. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për sulmin.

Ndërkohë, Izraeli i kishte thënë SHBA-së të enjten se do të hakmerrej kundër Iranit në ditët në vijim, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN. Zyrtari thekson se SHBA nuk e kishte miratuar kundërsulmin dhe se nuk është përfshirë në operacion. “Ne nuk e miratuam përgjigjen,” tha zyrtari për CNN.

Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t’i përgjigjej. Teherani lëshoi ​​më shumë se 300 raketa e dronë në Izrael mesnatën mes 13 dhe 14 prillit, si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask të Siri, më 1 prill.

Aleatët perëndimorë të Izraelit gjatë gjithë javës, veçanërisht SHBA-ja dhe Britania, i kanë kërkuar qeverisë izraelite që të mos kryejë një përgjigje të rëndë ndaj sulmit raketor iranian.

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Irani kishte pezulluar fluturimet në disa aeroporte pas sulmit izraelit. Sapo lajmet u bënë publike, fluturimet filluan të devijoheshin. Flydubai u tha gjithashtu disa mediave se do të anulonte të gjitha fluturimet për në Iran të premten dhe se një fluturim nga Dubai në Teheran ishte kthyer.

Irani njofton se ndërprerja ka mbaruar dhe se fluturimet i janë kthyer normalitetit. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se fluturimet kanë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar Imam Khomeini të Teheranit.

Ndërkohë, organizata e aviacionit civil të Iranit tha se kufizimet e vendosura më parë në disa aeroporte të tjera janë hequr. Më herët, televizioni shtetëror Mehr tha se aeroportet në Teheran, Isfahan, Shiraz dhe në të gjithë vendet perëndimore, veriperëndimore dhe jugperëndimore të vendit ishin prekur të gjithë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING