Bota
87-vjeçarja që u nxor nga shtëpia/ Trazoi Spanjën dhe çoi në dorëheqjen e Pedro Sánchez
Historia e Maricarmen Abascal nisi si një konflikt mes një pensionisteje 87-vjeçare dhe kompanisë që zotëronte banesën e saj në Madrid, por brenda pak ditësh u kthye në një çështje kombëtare.
Më 23 shtator, autoritetet e nxorën Maricarmen nga apartamenti ku kishte jetuar për 71 vjet. Ajo ka 50% aftësi të kufizuar të njohur dhe paguante rreth 500 euro qira në muaj. Kompania Urbagestión, e cila kishte blerë apartamentin, kërkonte një qira prej 2,650 eurosh në muaj.
Pamjet e 87-vjeçares që largohej me barelë, ndërsa qindra qytetarë ishin mbledhur pranë ndërtesës, e kthyen rastin në simbol të debatit për çmimet e qirave dhe dëbimet nga banesat në Spanjë.
Pesë ditë më vonë, përfaqësuesit e Maricarmen dhe Urbagestión arritën një marrëveshje. Më 29 shtator, avokatja e saj konfirmoi se 87-vjeçarja kishte pranuar kushtet që i mundësonin rikthimin në apartament pas daljes nga spitali. Marrëveshja parashikon një kontratë tetëvjeçare dhe një qira rreth 500 euro në muaj.
Por çështja nuk përfundoi me rikthimin e Maricarmen.
Rasti nxiti mobilizime për strehimin dhe e shtyu qeverinë e Pedro Sánchez të hartonte dy dekrete me masa kundër dëbimeve dhe për mbrojtjen e qiramarrësve.
Më 2 tetor, Kongresi i rrëzoi të dy dekretet. Junts bashkoi votat me Partinë Popullore dhe Vox, duke i hequr qeverisë së pakicës së Sánchez shumicën e nevojshme për miratimin e masave.
Më 5 tetor, Pedro Sánchez njoftoi shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme më 29 nëntor 2026.
Sánchez nuk dha dorëheqjen dhe Maricarmen Abascal nuk “rrëzoi” qeverinë. Por dëbimi i saj u kthye në simbol të krizës së strehimit, mobilizimi që pasoi solli dy dekretet e qeverisë dhe rrëzimi i tyre në Kongres çoi Sánchez te vendimi për t’u drejtuar para kohe te zgjedhësit.