Politike
“Ekonominë nuk do ta shihni më të rritet në fjalët tona”/ Rama në Asamble: Dyfishohet bonusi i fundvitit për pensionistët, indeksimi afrohet në prill
Kryeministri Rama mblodhi sot Asamblenë e PS Tiranë, ku po mban fjalën e tij dhe në qendër ka buxhetin e vitit 2027, të cilin e konsideron si historik.
“Partia Socialiste është partia që do ta fitojë Tiranën për Shqipërinë, sepse është rruga e vetme, na kalon amaneti kombëtar i bashkimit me Europën. Në këtë kohë të komplikuar për botën dhe Europën, ku Shqipëria është bërë arenë e luftës hibride kundër BE dhe reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar. Përse kalon në këtë parti rruga e rritjes së Shqipërisë? Këtë e tregon buxheti i vitit 2027.
Ai buxhet nuk ra nga qielli, nuk e bënë as dëshirat tonë, e ka bërë ekonomia shqiptare, që është më e fortë dhe që na jep mundësinë të rishpërndajmë më shumë, sepse kemi arritur të jemi të suksesshëm ekonomikisht. Dëshirën për t’i dhënë njerëzve më shumë e kanë të gjithë. Është një dëshirë e natyrshme për këdo që ka një hije humanizëm, por kush premton gjithçka sepse nuk do të thirret kurrë në llogaridhënie për të mbajtur premtimet, e ka kollaj. Për herë të parë në historinë e këtij shteti ne kapërcejmë pragun e 10 mld eurove në pasqyrën e buxhetit falë një ekonomie që rritet dhe që e thotë BE në raportin e progresin, që flet me fjalë të larta për ekonominë e vendit.
Arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë, sepse për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka sa e shtrenjtë është shporta në dyqanin e lagjes. E rëndësishme është arritja se mbi 50 produkte të shportës do të kenë TVSH të ulur në 6%. Kjo është ekonomia që rritet edhe për qytetarin, edhe për atë që nuk e ka të lehtë të mbajë presionin e shtrenjtimit të produkteve të shportës. Ekonominë njerëzit nuk do ta shohin më të rritet në fjalët tona, por edhe në shenjat dhe shprehjet konkrete të solidaritetit tonë me ta si PS e Shqipërisë.
Çfarë vlere do të kishte ende sot rritja e ekonomisë nëse një çift i ri nuk gjen dot rrugë për të pasur një shtëpi të veten? Nëse një nënë e vetme mbetet vetëm përballë kostos së rritjes së fëmijëve, nëse një pensionist voton me zemër për PS dhe vazhdon të mos shohë sesi e gjithë kjo rritje ekonomike nuk përkthehet te pensioni i tij? Nuk është e mundur, e pikërisht prandaj buxheti i 2027 është historik, sepse të gjithë këtyre pyetjeve nis t’i japë përgjigje pranuese dhe pozitive.
Sepse ne nuk e shlyejmë dot borxhin ndaj një gjenerate që e mbajti mbi shpinë Shqipërinë duke punuar pafund dhe duke mos mbajtur thuajse asgjë në këmbim. Nuk i kthejmë dot ato që kanë ikur, por do të mundohemi tua bëjmë sa më lehta vitet që kanë përpara. Prandaj e thotë edhe buxheti se rritja e bonusit të buxhetit do të rritet dyfish dhe indeksimi i pensionit do të afrohet në muajin prill. Këto nuk mjaftojnë, por padiskutim që ka një ndryshim”, tha Rama mes të tjerash.