Politike
Blushi: Qeveria e Ramës po rrit krimin dhe varfërinë
Partia e Lirisë, përmes sekretarit të Përgjithshëm të saj, Tedi Blushi kanë bërë ditën e sotme të ditur një raport që lidhet me kriminalitetin në Shqipëri. Blushi shprehet se në dhjetë vite që Rama është në pushtet, ka krijuar një Shqipëri të korruptuar dhe të inkriminuar.
Sipas Blushit, lajmi bëhet i ditur nga organizata prestigjioze “World Prison Population” edicioni i 13, e cila e radhit Shqipërinë me 179 pikë, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit janë poshtë saj. Ky fakt sipas Blushit provon se në Shqipëri, me Qeverinë e Edi Ramës rritet vetëm varfëria dhe burgosja.
DEKLARATA E PLOTË:
Në dhjetë vite në pushtet Qeverisja e korruptuar dhe e inkriminuar e Edi Ramës e ka kthyer Shqipërinë në vendin e parë në rajon dhe në Europë për:
1. Nivelin më të lartë të varfërisë.
2. Nivelin më lartë të korrupsionit.
3. Për numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e BE
4. Nivelit më të lartë të kriminalitetit dhe trafiqeve
5. Për dhunimin e lirisë së medias.
Por një tjetër rekord i zi, tepër tronditës dhe i paimagjinueshëm është që Shqipëria radhitet e para në rajon për numrin e të burgosurve në raport me popullatën.
Lajmi bëhet i ditur nga organizata prestigjioze “ëorld Prison Population” edicioni i 13, e cila e radhit Shqipërinë me 179 pikë, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit janë poshtë kësaj shifre tronditëse dhe konkretisht:
Mali i Zi me 139 pikë
Maqedoni e Veriut me 103 pikë
Kosova me 93 pikë
Bosnja dhe Hercegovina me 83 pikë.
Ky tregues kaq kritik është prova më e qartë se në Shqipëri në vend që të hapen vende pune, shtohen personat në burgjet.
Në vend që Shqipëria të kthehet në vendin e shpresës, është kthyer në një burg të madh. Shkaku kryesor dhe i pakundërshtueshëm i kësaj situate është vetëm varfëria, humbja e shpresës për shkak se vendi qeveriset nga një Qeveri hajdute që grabit miliarda me inceneratorët, koncensione, tendera e që praktikisht vjedh në çdo gjë.
Ky fakt provon se në Shqipëri, me Qeverinë e Edi Ramës rritet vetëm varfëria dhe burgosja. Në vendin me kriminalitetin më të lartë në rajon, Qeveria i mbush burgjet me hallexhinjtë dhe jo me kokat e vërteta të korrupsionit, të krimit të organizuar, trafikantëve dhe pastruesve të parave. Vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë dhe rikthen shpresën tek qytetarët, që në masë po detyrohen të braktisin Atdheun. Çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit është sot interesi dhe prioriteti ynë vendimtar!