Politike
‘Open Balkan’, Rama: Të mos i vëmë flakën njëri-tjetrit
U mbajt sot në Beograd ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Panairit të Verërave, “OpenBalkanWineVision”, i cili sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, do të zhvillohet çdo vit nga njëri kryeqytet në tjetrin, “duke u kthyer hap pas hapi në një instrument të rëndësishëm ekonomik e turistik”.
Rama tha se “kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri tjetrit kush ka qenë i pari, kush është më i vjetri, kush e ka marrë i pari të drejtën të jetojë në këtë vend, ndërkohë një gjë kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër, të gjitha vendet tona janë këtu për të qendruar dhe pas nesh shumë vite e shekuj pas nesh”.
“Më duhet të flas në gjuhën time se nuk e njoh gjuhën tuaj të çuditshme.
Vendosa të mos e përdor fjalën që më kishte përgtitur ekipi im se niste me shprehjen që “ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në epokën e bronxit”.
Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo por di që kemi humbur shumë kohë duke u përpjpekur t’i tregojmë njëri tjetrit kush ka qenë i pari, kush është më i vjetri, kush e ka marrë i pari të drejtën të jetojë në këtë vend, ndërkohë një gjë kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër, të gjitha vendet tona janë këtu për të qendruar dhe pas nesh shumë vite e shekuj pas nesh.
Zgjedhja jonë është si të qendrojmë këtu në këtë vend duke qenë bashkë në të njëjtën lagje të Evropës duke u përpjekur ta bëjmë më të jetueshme, paqësore për gjithë njerëzit tanë, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri tjetrit e duke i vënë flakën njëri tjetrit si kemi bërë në shumë vite e shekuj.
Ballkani i Hapur është shumë më tepër se sa ekonomi e tregti, e shumë më tepër se sa politikë po e po, është një projekt paqeje dhe bashkëjetese në paqe, një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen, që kjo lagje e vogël në mes të Evropës mos vuajë më nga hijet e së shkuarës, por të bëhet vendi i të ardhmes për gjithë rininë tonë”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka deklaruar se Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt.
Në fjalën e tij gjatë edicionit të parë të Panairti të Verërave, Vuçiç tha se në kuadëer të kësaj nisme, do të punohet për qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe serbët.
“Këtë e kemi arritur të gjithë së bashku, duke qenë se e njoh, unë jam një verëdashës më i madh se këta dhe kam qenë në më shumë vende. Sot kemi diçka për të qenë krenarë. S’mund të jemi më mirë se kaq, ia dolëm ta bënim këtë gjë. Hapa të mëdhenj patjetër që do të vijnë më pas, kur lexoni në broshura kuptoni që ky event është organizuar nga qeveria jonë. Nuk është burokratike dhe dua t’ju them që këtu janë investuar qindar emra, të cilët kanë kuptim për ne, pavarësisht se për publikun nuk kanë asnjë kuptim. Nuk kam parë asnjëherë panair më të bukur se ky. Dua të them dhe diçka mjaft personale, përpara se ta deklarojmë të hapur këtë panair, ideja jonë gjithmonë ka pasur kritika, ka pasur nga ata që kanë dashur të gjejnë gjilpërën në kashtë. Nuk mund të luftosh diçka që vjen natyrshëm, Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt, do të vijojmë të punojmë më fort. Do të punojmë për shqiptarët, maqedonasit e të gjithë qytetarët e Serbisë”, tha presidenti serb.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e konsideroi panairin e verës në Beograd si një mundësi të shkëlqyer për bizneset.
“Sot kemi mundësi të barabarta për të paraqitur në këtë panair produktet dhe mundësi e madhe për kontakte biznesi në nivel ndërkombëtar. Marrëveshje të reja, duke investuar dhe u zgjeruar. Shpresoj që ky panair të shndërrohet në traditë dhe të ofrojë gjithmonë e më shumë mundësi bashkëpunimi. Maqedonia e Veriut është eksportuesi i dytë më i madh i verës në rajon dhe e 29 në botë. Ne po rrisim eksportin e verës me shishe”, tha ai.