Sport
‘Çmenduria’ për CR7 vjen nga Turqia
“Çmenduria” për të ardhmen e Cristiano Ronaldos mund të vijë nga Turqia. Galatasaray po përgatit tashmë seriozisht ofertën për sulmuesin portugez.
Kontrata aktuale e CR7 me Manchester United përfundon në qershor të viti 2023, teksa tashmë largimi i tij nga “Old Trafford” është thuajse i sigurtë.
Sipas “Fotomac”, Galatasaray do të bëjë gjithçka për të nënshkruar me sulmuesin në janar, me nënpresidentin e klubit Erden Timur në ‘kontakt të vazhdueshëm’ me përfaqësuesit e lojtarit.
“Nuk mund të jap emra tani. Nuk e di nëse është Ronaldo apo dikush tjetër, por reagimet e yjeve janë pozitive dhe historia e Galatasaray është e mbushur me lojtarë të tillë”, ka theksuar Timur.
Gjiganti turk nuk do të jetë në gjendje t’i ofrojë Ronaldos futboll evropian këtë sezon, pasi përfunduan në pozitën e 13-të në Superligë gjatë sezonit 2021-2022.
Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe Chelsea besohet të jenë ndër klubet që kanë refuzuar mundësinë për të nënshkruar me ish-lojtarin e Real Madridit gjatë verës.