Connect with us

Aktualitet

Drogë nga Rinasi në Turqi, merren në pyetje punonjësit

Efektivët e Policisë Kufitare dhe Sigurisë së Rinasit do të merren në pyetje nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore në lidhje me sekuestrimin e 31 kilogramëve hashash në Turqi, operacion që prangosi Florenc Bicerrin, punonjës i Policisë Rrugore Tiranë dhe Kujtim Çelikun, një ish-komando me precedent vjedhje në Shqipëri.

Punonjësit e Rinasit pritet të pyeten në lidhje me mënyrën se si kanë lejuar kalimin e Bicerrit bashkë me dy valixhet e mbushura me kanabis. Nuk dihet nëse ekziston ndonjë mundësi bashkëpunimi mes efektivëve që kanë qenë në turn dhe personave të arrestuar.

Bicerri ishte larguar më datën 5 tetor dhe nuk ishte paraqitur në punë pas përfundimit të pushimit vjetor ndaj dhe ishte vënë në një hetim disiplinor. Ai u ndalua në Stamboll dhe kontrolli në aeroport zbuloi se dy valixhet që kishte marrë me vete i kishte mbushur me 31 kilogram kanabis. Pas Bicerrit, u vu në pranga Kujtim Çeliku e Adrian Qirici.

Çeliku ka kryer 5 misione paqeruajtëse të NATO-s në Afganistan dhe Irak, por në 2011, ai u arrestua për vjedhjen e 176 unazave floriri në Durrës. Hetimet vijojnë për përfshirje të personave të tjerë në trafikun e drogës.

Advertisement