Connect with us

Politike

Amnistia fiskale/ Rama: Ndërkombëtarët mirë që flasin, fajin e ka PD

Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga ligji për amnistinë fiskale. Në fjalën që mbajti në Përmet në prezantimin e projekteve të Bashkisë, Rama thotë se ndërkombëtarët nuk kanë faj që flasin, kur e djathta në Shqipëri sipas tij, është e përfshirë në historinë e ‘rublave’, referuar lobingut rus. Rama shton se gjithsesi është në pritje të konsultimit të radhës me ndërkombëtarët e të një mundësie për ta vënë në zbatim.

“Vazhdojmë përpara, sepse kjo është gjëja e duhur dhe e drejtë. Në radhë të parë duam të kemi një draft sa më të dakordësuar me miqtë dhe partnerët tanë sepse nuk është një gjë që duam ta bëjmë në mënyrë konfliktuale as si karshillëk. Ata nuk kanë asnjë faj, sepse jemi ne këtu të parët, është e djathta e rublave ajo palo opozitë e zhytur në thesin e rublave. Janë ata që hedhin gurin e fshehin dorën dhe venë kujën. Nuk është për t’i vënë faj miqve ndërkombëtarë, partnerëve ndërkombëtarë, cinikëve ndërkombëtarë që janë shumë, janë lloj-lloje, kur i japin gojës pa asnjë siklet, si një përpjekje të dyshimtë për të pastruar produktet e krimit. Po rrimë, po presim të shikojmë nëse do të na krijohet një mundësi, që për momentin nuk e kemi. Kanë fitime marramendëse. Prandaj duhet të paguajnë një taksë, një tatim, shumë më të lartë,”- tha Rama ndër të tjera. 

Ndërkombëtarët i kanë dalë kundër kësaj nisme ligjore. Para një jave, shefja e FMN-së në Shqipëri Yan Sun kërkoi që qeveria shqiptare të ndryshojë ligjin për amnistinë fiskale për të shmangur pastrimin e parave dhe financimin e grupeve terroriste.  Projekti i qeverisë parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës. Ky projekt ka hasur në kundërshtinë e ndërkombëtarëve.

Advertisement