Connect with us

Aktualitet

Kriza energjitike/ Qeveria nxjerr projektligjin: Dritat do fiken çdo ditë

Qeveria ka marrë masa për kursimin e energjisë elektrike në një kohë ku jemi në mes të një krize globale. Kështu me anë të një projektligji qeveria ka parashttruar të gjitha masat që do të merren për kursimin e energjisë duke përfshirë dhe abonentët familjarë por dhe institucionet shtetërore.

Në projektligji sqarohet se në ambientet e jashtme të institucioneve publike, rrugët ndërqytetase kryesore dhe dytësore, objektet e kulturës, monumentet dhe shatërvanet dritat do fiken çdo ditë pas orës 20:00. Gjatë verës, kondicioneri nuk duhet të gradohet në temperaturë më të ulët se 27 gradë Celsius, ndërsa gjatë dimrit nuk duhet të jetë më i lartë se 21 gradë.  Ndërkohë ky akt normativ do të jetë në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe nuk është i zbatueshëm për institucionet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, shkollat, kopshtet, komisariatet e policisë dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Projektligji detyron klientët buxhetorë të reduktojnë konsumin e energjisë elektrike të godinave të tyre, në masën 15%, krahasuar me muajin përkatës të një viti më parë, ndërsa në të kundërt do të gjobiten:

“Mosarritja e përsëritur në dy muaj e masës së kursimit të energjisë nga institucioni, shoqëria apo ndërmarrja konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë. Masa administrative i vendoset titullarit të institucionit, administratorit të shoqërisë apo ndërmarrjes, që ka përgjegjësi administrimi pronën përkatëse”, thuhet në projektligj,

lnstitucioni që ngarkohet për zbatimin e këtij akti normativ është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OSHEE-së është ngritur struktura e posaçme “Task-Forca e Energjisë.

Ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme kryeministri, Edi Rama ka bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike. Ai paralajmëroi se dimri do të jetë i vështirë. Gjatë vizitës së tij në muzeun etnografik në Gjirokastër Rama “u tërhoqi veshin” drejtuesve pasi në një nga dhomat drita qëndronte nesër edhe pse jashtë ishte ditë dhe kjo ishte e panevojshme. Edhe më herët ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka bëtë thirrje për kursimin e energjisë elektrike ku dhe parashtroi planet që do të ndiqen nga institucionet.

Advertisement