Aktualitet
Thesari bllokon pagesat e gjyqtarëve/ Sadushi përplaset me Ramën: Na jepni paratë
Pagat e gjyqtarëve janë bllokuar në sistemin e Thesarit, përfshirë edhe trupën e Gjykatës së Lartë, duke sjellë reagimin e kreut të kësaj gjykate, Sokol Sadushi. Në një shkresë drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sadushi ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rillogaritjen e pagave të magjistratëve.
Sipas Sadushit, mungesa e miratimit të një ligji të ri nga Kuvendi dhe mungesa e fondeve të parashikuara në buxhet nuk mund të shërbejnë si bazë për pezullimin e pagave apo për moszbatimin e një vendimi kushtetues. Ai e konsideron situatën si cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe kërkon që vendimi të zbatohet në përputhje me detyrimet kushtetuese.
Kreu i Gjykatës së Lartë kërkon që formula e re e pagave të zbatohet nga 1 gushti 2026 e në vijim, ndërsa diferencat financiare për periudhën 1 prill 2023 deri më 31 korrik 2026 të trajtohen dhe paguhen sipas përcaktimeve të vendimit përkatës. Ai kërkon gjithashtu që çdo fond shtesë i nevojshëm për pagesat korrente të alokohet përmes procedurave buxhetore.
Në shkresë, Sadushi thekson se diferencat financiare të prapambetura nuk duhet të përdoren si arsye për bllokimin e pagesave mujore të gjyqtarëve. Sipas tij, çdo institucion shtetëror ka detyrimin të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja lidhet me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Gjykata e Lartë argumenton se Kuvendi kishte afat deri më 31 korrik për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore.

