Aktualitet
Protestë për Learin/ Qytetarët: Kë thërret, kur policia vret
Ka nisur protesta për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti në duart e efektivëve të policisë. Qindra të rinj kanë mbushur sheshin para Ministrisë së Brendshme dhe kërkojnë drejtësi për vdekjen e të riut.
“Shteti po vret rininë”, shkruhet në një nga parullat që mbajnë të rinjtë në duar. Nën thirrje e ovacionet të shumta, qytetarët kërkojnë që të zbardhet ngjarja e rëndë që tronditi vendin dy ditë më parë.
Një qytetar ka akuzuar policinë se qëndron pas vdekjes së Lear Kurtit. Në një prononcim për mediat, qytetari tha se askush nuk ka më besim tek policia dhe se nuk dimë më kë të njoftojnë nga autoritetet kur i dhunojnë efektivët.
“Nëse policia të vret në rrugë, te kush duhet të kemi besim ne. kë duhet të thërrasim kur na vret policia? Besimi është zero,”- tha qytetari.
Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Atij iu kërkua të ndalonte në orën 23:07 të mbrëmjes së 19 tetorit nga efektivët, në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por vrapoi dhe u largua. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekjes, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.