Aktualitet
“Nuk e di a janë gjallë!”/ Lot dhe frikë mes njerëzve heronj që luftuan me zjarrin në Krujë
Pas zjarrit të përhapur në zonën e Krujës gjatë mbrëmjes së së shtunës, ku u ndërmorën edhe masa për evakuimin e banorëve, vëmendja është përqendruar edhe te puna e forcave që u angazhuan në terren.
Ish-komandanti i Forcave të Armatosura dhe ish-deputeti Denis Deliu ka publikuar një fotografi të realizuar rreth orës 01:00 të mëngjesit, gjatë ndërhyrjes në zonën e malit të Krujës. Në postimin e tij, ai ka rrëfyer një bisedë me komandantin e zjarrfikësve, Altin Shullazi, duke përshkruar shqetësimin e tij për kolegët që ndodheshin në terren.
Sipas Deliut, kur e ka pyetur komandantin nëse kishte nevojë për ndihmë, ai i është përgjigjur se nuk kishte mundur të kontaktonte me disa prej zjarrfikësve të grupit dhe nuk e dinte nëse ishin mirë.
Deliu ka theksuar se pas uniformave të zjarrfikësve, policëve dhe efektivëve të Forcave të Armatosura janë njerëz që përballen me lodhjen, frikën dhe pasigurinë gjatë ndërhyrjeve në situata të rrezikshme.
Në mesazhin e tij, ai ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, policët dhe ushtarakët që morën pjesë në operacionin për përballimin e zjarrit në Krujë.
Zjarri shkaktoi një situatë të vështirë gjatë natës, ndërsa ekipet në terren vijuan përpjekjet për kontrollin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe zonave të rrezikuara. Rrëfimi i Deliut sjell në vëmendje edhe aspektin njerëzor të personave të angazhuar në operacionet e emergjencave.