Connect with us

Kosova

Pse Albin Kurti ra në kurth

Për ekspertin amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociatat izraelito-siriane dhe izraelito-palestineze në formatin “Track II” e njohur ndryshe si “diplomacie e kanaleve të pasme” Alon Ben – Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke mos e dëgjuar kërkesën amerikane, por jo vetëm, për shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 10 muaj ka dështuar në kurthin rus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

Ndryshe nga ShBA-të, të cilët ishin shprehur të zhgënjyer e të shqetësuar, Ben-Meir, i cili ka qenë ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Qendrën për Çështjet Globale në Universitetin e Nju Jorkut, për Albanian Post ka thënë se ndjehet paksa i habitur se përse Kurti i kushton kaq shumë rëndësi çështjes së targave, kur ai ka probleme më të mëdha me të cilat duhet të ballafaqohet.

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës, por jo vetëm. Të njëjtit janë larguar edhe nga Gjyqësori dhe Policia.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Sipas profesorit amerikan, problemi i serbëve në Kosovë qëndron në atë se ata gjithmonë kanë qenë marionetë e Beogradit zyrtar.

Albanian Post: Si e shihni ju vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, dhe cilat mund të jenë implikimet e tij në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili ishte dinamizuar mjaft shumë pas propozimit franko-gjerman?

Besoj se vendimi i qeverisë Kurti për të injoruar kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e vendimit për targat është i gabuar në rastin më të mirë. Unë me të vërtetë nuk e shoh urgjencë për të zbatuar kërkesën e Kurtit për targat dhe për të krijuar krizë të panevojshme në një kohë kur i gjithë kontinenti evropian është i mllefosur me luftën në Ukrainë dhe vendosmërinë e Putinit për të destabilizuar Ballkanin. Mendoj Se Kurti dështoi në kurthin rus. Nuk është tepër vonë për të korrigjuar situatën duke ia vënë veshin kërkesës së ShBA-ve. Edhe pse ky mund të duket një koncesion i njëanshëm, Kosova do të përfitojë shumë në planin afatgjatë.

Albanian Post: Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës…  çka duhet bërë saktësisht Qeveria e Kosovës tani?

Kryeministri Kurti duhet t’u bëjë thirrje të gjithë atyre që japin dorëheqje që të rimarrin postet e tyre. As serbët e Kosovës dhe as qeveria e Kurtit nuk do të korrin ndonjë avantazh afatgjatë duke e zgjatur konfliktin. Jam disi i habitur se përse Kurti i kushton kaq shumë rëndësi çështjes së targave kur pjata e tij është e plot me çështje shumë më urgjente të brendshme që ai duhet t’i trajtojë. Ai nuk duhet të investojë aq shumë kohë dhe energji në një çështje kaq margjinale për të argumentuar pavarësinë e Kosovës. Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e pavarur me ose pa ndryshimin e targave. Kurti duhet të riorganizojë prioritetet e tij dhe të forcojë Kosovën brenda vendit në çdo aspekt që është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të mbështetur pavarësinë politike të Kosovës.

Albanian Post: A mund të themi se me largimin e serbëve nga institcuionet është mbyllur edhe një farsë, ajo e integrimit të serbëve në Republikën e Kosovës. Pse Kosova me vite të tëra nuk ka mundur t’i integrojë serbët e Kosovës në institucionet e Kosovës, por jo vetëm?

Qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë ua kanë hapur dyert serbëve në Kosovë për t’u integruar. Në fakt, serbët kanë një ministër, 10 deputetë dhe poste të tjera të larta në qeveri, përveç gjyqësorit dhe policisë që përfaqësojnë katër komunitetet e tyre lokale në Veri. Problemi është se Beogradi vazhdimisht i ka dekurajuar serbët në Kosovë që të mos integrohen si pjesë e përpjekjeve të tij për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Rusia e Putinit po bën të pamundurën për të parandaluar Beogradin që të bashkëpunojë me Kosovën pothuajse në çdo nivel për t’i shërbyer interesave të tij. Thënë kështu, Kurti duhet të fokusohet më shumë në çështje më të rëndësishme sesa çështja e targave, e cila vetëm i ka tjetërsuar serbët e Kosovës të cilët po dirigjohen drejtpërdrejt nga duart e Vuçiç’it dhe Putin’it.

Advertisement