Connect with us

Kronike

Rrëfen ish-inxhinieri ushtarak/ “Si më arrestuan në Burrel si ‘agjent i anglo-amerikanëve’ dhe më mbajtën 200 ditë në…

Nga Sajmir Maloku/ Publikohen disa nga historitë e panjohura të Sajmir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”. Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Sajmir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emision televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.  

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë në hetuesi ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillim viteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al

                 Ju tregoj ngjarjet tronëditëse të jetës sime

Shpesh herë më duket sikur Zoti më thotë: “Duhet të dish të kaluarën e hidhur komuniste të popullit, që të shijosh Demokracinë e sotme”. Prandaj këto rrëfime dhe kujtime të ngjarjeve tepër tronditëse të jetës sime, si dëshmitar dhe i mbijetuar përmes vuajtjeve të mia plot tmerr në burgjet famëkeqe komuniste të Shqipërisë në shenjë respekti, duke përcjellë falënderimet më të mëdha dhe mirënjohje të thellë, ia dedikoj Jezu Krishtit – Birit të Perëndisë, Gjuhës Angleze dhe Legjendave të famshme të Rock and Roll-it përgjatë viteve 1960 – 1970, të cilët më shpëtuan jetën nga ferri komunist dhe vdekja e sigurt dhe çnjerëzore.

Unë, i frymëzuar nga “Ditari i Anë Frank”, në analogji me ngjarjet e tmerrshme të jetës së saj, shkrova rrëfimet për vuajtjet e mia të paimagjinueshme në ferrin komunist. Regjimi komunist me anë të shpifjeve dhe trillimeve më akuzoi mua dhe babanë tim, Reshit Maloku, kot së koti si agjentë të mundshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike, i cili ishte i paralizuar nga dora dhe këmba e djathtë për 18 vite. Ai ka studiuar në një shkollë amerikane në Tiranë. Rrufeja komuniste ra në jetën time.

Bazuar në dokumentet e hershme shtetërore dhe sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit Komunist më shumë se 120 oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorë të tyre gjatë viteve 1965-1976 më kanë survejuar, gjurmuar dhe përgjuar me pajisje dhe metoda moderne mua, babanë tim, Reshitin, dhe shtëpinë tonë në Tiranë me dyshime të mëdha si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sekret Britanik. Edhe spiunen e famshme Mata Hari nuk e kanë gjurmuar dhe survejuar ndofta kaq shumë agjentë të Policisë Sekrete në atë kohë.

Kjo për arsye se gjatë viteve 1965-1974 shtëpia jonë ka mirëpritur shumë qytetarë anglezë me banim në Angli, Suedi dhe Zvicër dhe që vinin si turistë në Shqipëri si dhe sillnin shumë ilaçe mjekësore të shtrenjta për babanë tim të sëmurë. Duhet të theksoj se babai im zotëronte pesë gjuhë të huaja. Ai ka qenë kampion i Shqipërisë në sportin e Qitjes, Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe trajner i ekipit kombëtar të Qitjes të Shqipërisë. Ai ka qenë një ndër inxhinierët topografë më të mirë të vendit tonë dhe është dekoruar me Urdhra dhe Medalje të Punës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

Ai është njeriu që ideoi, projektoi dhe zbatoi ndërtimin e dy varrezave kryesore publike të kryeqytetit. Prej disa vitesh një rrugë e Tiranës mban emrin e tij. Në vitin 1938 ai ishte si shoqërues dhe si përkthyes i një grupi të madh personalitetesh të rëndësishëm anglezë në Zonën turistike dhe malore të Thethit, që është më e bukura e Shqipërisë. Në muajin Tetor të vitit 1944 pronari i një Librarie të madhe të Kryeqytetit i dhuroi babait tim gati 100 libra dhe revista në gjuhën angleze. Kur unë isha i vogël, babai im më tregonte dhe shikonim së bashku me dhjetëra revista amerikane dhe angleze të shoqëruara me shumë foto për fitoret e mëdha të Forcave Aleate në Evropë, në Afrikën Veriore, në Azi dhe në Oqeanin Paqësor; për Familjen Mbretërore Britanike; për Londrën

Si më izoluan tre ditë në qeli, se kisha ikur fshehurazi për të parë Festivalin e Sanremos

Që në moshën dhjetëvjeçare babai im filloi të më mësojë mua gjuhën angleze. Gjatë viteve 1965-1970 në oborrin apo në dhomën e madhe të shtëpisë tone në Tiranë ne organizonim me shumë shokë dhe shoqe tona shpeshherë mbrëmje vallëzimi të fshehta të Rock and Roll-it dhe të Tëistit me anë të magnetofonëve. Unë gjatë verës vishesha me këmisha mjaft të bukura angleze dhe këndoja këngë amerikane, angleze dhe italiane. Në muajin Shkurt të vitit 1965, mua dhe një shokun tim na izoluan 3 ditë në qeli si dënim, sepse kishim ikur fshehurazi nga konvikti i shkollës për të parë Festivalin Italian të Sanremos në televizor.

Gjatë viteve 1966-1976, derisa unë u arrestova mbaja nëpër xhepat e mi një radio të vogël japoneze “Sony” me tranzistorë. Me anën e kufjeve të vogla në vesh unë shpeshherë dëgjoja fshehurazi gjatë ditës dhe natën muzikën e mrekullueshme të këngëve amerikane, angleze dhe italiane kryesisht të muzikës të Rrok-ut si dhe emisionet e lajmeve në këto dy gjuhë të huaja. Koha tregoi se me kalimin e viteve në shpirtin tim u fut edukata, kultura dhe pikëpamjet demokratike perëndimore. Viktimë e dhunës dhe e terrorit të Policisë Komuniste dhe të Sigurimit të Shtetit ishte populli i pafajshëm shqiptar. Me dhjetëra mijëra njerëz u pushkatuan, u burgosën dhe u internuan, sepse ideali i tyre ishte demokracia e sotme perëndimore. Kjo është arsyeja kryesore që unë urreja Partinë Komuniste dhe diktatorin E. Hoxha, sepse ata vunë një regjim diktatorial të tmerrshëm dhe hoqën fenë duke shkatërruar me mijëra kisha dhe xhamia në vendin tonë. Gjatë viteve 1968-1972 për arsye të aparatit tonë televiziv dhe tepër të rrallë në Tiranë, në atë kohë bëri që me qindra qytetarë të kryeqytetit të vinin e të shikonin vazhdimisht në shtëpinë tonë emisionet televizive italiane dhe jugosllave.

Shtëpia jonë e vjetër dhe me oborr në mes të kryeqytetit u bë si një qendër e madhe dhe e fshehtë e kulturës perëndimore. Aty ne dhe qytetarët e shumtë shikonim në aparatin tonë të televizorit “Philips” koncerte muzikore të huaja dhe filma artistikë amerikanë, anglezë dhe italianë si dhe ndeshje të huaja sportive. Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emission televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.

Arrestimi në qytetin e Burrelit në prani të 600 vetave

Unë bëra edhe një përforcues të sinjalit televiziv të antenës.

Më datë 13 Maj të vitit 1976 unë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrel të Shqipërisë, me akuzën si agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist.

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë. Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj.

Sigurimi i Shtetit i grisi apo i dogji të gjitha librat dhe revistat angleze duke i konsideruar ato si libra të Imperializmit. Babai im fshehu fotografinë e Mbretëreshës Elizabeth II. Sigurimi i Shtetit mbas arrestimit tim publik më futi në një qeli të nëndheshme brenda godinës të Policisë të Burrelit. Aty ishte ferri i vërtetë komunist. Gjatë zhvillimit të dhjetëra seancave hetimore ndaj meje u përdorën shumë tortura të tmerrshme nga më mizoret.

Seancat hetimore nga ora 24 deri në 06 të mëngjezit!

Seancat hetimore shpesh fillonin nga ora 24.00 të natës deri në orën 6.00 të mëngjesit duke më mbajtur mua në këmbë dhe me të dyja duart e lidhura dhe të shtrënguara fort me pranga metalike nga mbrapa trupit; duke më goditur fort me grushta në stomak dhe duke më kërcënuar me forcë; duke më fyer rëndë dhe duke më pështyrë në fytyrë etj. Gati sa të më binte të fikët nga torturat, ndërsa duart dhe gishtat e mi më nxiheshin nga mosqarkullimi i gjakut si pasojë nga shtrëngesa e fortë e prangave metalike. Qëllimi i Sigurimit të Shtetit ishte që të pranoja kot së koti se unë, babai im Reshiti, dy priftërinjtë katolikë, turistët anglezë dhe një murgeshë shqiptare në Londër të ishim agjentë të Zbulimit Sekret Britanik, ndofta dhe të Vatikanit.

Përgjigjja ime e fortë dhe e prerë ishte: “Jo! Jo! Jo!”. Policia asnjëherë nuk m’i lejoi ushqimet, teshat dhe rrobat e sjella nga familja ime gjatë kohës së paraburgimit (afro 200 ditë). Me këto rrëfime unë i bëj autopsinë e thellë regjimit komunist dhe krimeve të tmerrshme të tij ndaj meje dhe popullit shqiptar. Edhe sot e kësaj dite nuk e imagjinoj dot se si arrita të mbijetoja pas rreth 200 ditëve në qelinë e nëndheshme dhe më të keqe të burgjeve komuniste të Shqipërisë duke ndenjur i vetmuar në konditat më minimale dhe çnjerëzore të jetës.

Arrestimi dhe gjyqi im u bë para popullit me urdhër direkt nga Mehmet Shehu – kryeministër dhe kryekrimineli komunist, i cili më akuzoi mua si një ndër armiqtë më të poshtër të Partisë Komuniste dhe si spiun britanik në Shqipëri. Në shkelje flagrante të Konventës të të Drejtave të Njeriut, oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe hetuesit komunistë nuk më njoftuan mua dhe familjen time në Tiranë për datën dhe orën e gjyqit si dhe nuk më dhanë aktakuzën dhe avokat mbrojtës.

Ditën e gjyqit tim hetuesi dhe një oficer i Sigurimit të Shtetit më morën nga qelia siç unë isha veshur, me rroba tepër të pista, pa rripin e pantallonave dhe pa larë fytyrën si dhe pa më informuar se sot do të bëhej gjyqi im. Pastaj ata vunë prangat metalike në duart e mia dhe me makinën e Policisë më dërguan mua në sallën e gjyqit. Pyeta hetuesin tim se cila ishte arsyeja që më prunë në këtë sallë? Por të dy oficerët qeshën me ironi dhe më kërcënuan duke më thënë: “Ne nuk ta dhamë ty fletë-akuzën sepse në qoftë se populli do ta kishte zbuluar këtë gjë disa ditë më parë, çdo njëri prej tyre do të kishte ardhur në gjyqin tënd dhe do të kishe patur pasoja të rënda e do dënoheshe me vdekje. Po të mos pranosh fletë-akuzën, ti do të ngordhësh si një qen në qelinë e nëndheshme dhe familjen tuaj do ta internonim në fshatrat më të thella dhe më të këqija të vendit”.

I veshur me lecka, gjatë gjyqit mbaja fort pantallonat që mos të më binin!

Gjatë zhvillimit të gjyqit, me dorën e majtë mbaja fort pantallonat që të mos më binin poshtë. Gjithashtu ata nuk më dhanë mua as letër dhe as stilolaps për të mbajtur shënime gjatë gjyqit dhe për të bërë ankimim në Gjykatën e Lartë. Të gjitha këto veprime të padrejta dhe mashtruese, në kundërshtim me Kodin Penal të Shqipërisë oficerët e Sigurimit të Shtetit i bënë që unë të isha krejt i papërgatitur dhe i frikësuar në sallën e gjyqit tim. Me mijëra të burgosur politikë ishin viktima të pafajshme të këtyre veprimeve tepër poshtëruese dhe kriminale të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri nëpër gjyqet e tyre. Komunizmi na konsideronte ne më keq se kafshët e egra dhe të rrezikshme të pyllit.

Është dëshmitar populli dhe ushtria në Qytetin e Burrelit edhe shumë komunista nga qytete të tjera të Shqipërisë për qëndrimin tim burrëror dhe për demaskimin edhe denoncimin e krimeve mizore dhe famëkeqe të diktatorit Hoxha dhe të regjimit komunist, që unë mbajta në sallën e gjyqit. Kjo për arësye se në fjalimet e tyre para popullit diktatori Hoxha dhe Kryeministri famëkeq dhe kriminel Shehu shanin, shpifnin dhe ofendonin me fjalët më të ndyra dhe më fyese Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikanin, Britaninë e Madhe, Vendet Perëndimore, Fenë, Familjet e të Burgosurve Politikë, Nënë Terezën, Legjendat e Muzikës të Rrok-ut, Modën dhe Kulturën Amerikane dhe Perëndimore, etj.

Çmenduria dhe shpifja më e madhe e fjalimeve të diktatorit Hoxha ishte kur ai shpesh herë para popullit deklaroi: “Në vendet kapitaliste njerëzit janë si ujqërit për njëri tjetrin dhe po vdesin nga uria, nga krimet dhe nga papunësia.Aty nuk ka demokraci të vërtetë”. Në fund të gjyqit tim gjykatësi më pyeti tre herë nëse unë e doja Partinë Komuniste. Përgjigjja ime e fortë ishte: “Jo! Jo! Jo! Partia Komuniste është tamam si një mollë e kuqe e krimbur nga brenda. Këta krimba janë Enver Hoxha (diktatori), Mehmet Shehu (kryeministri) dhe Kadri Hazbiu (ministër i Brendshëm).  Enver Hoxha duke pushkatuar Beqir Ballukun (ministër i Mbrojtjes) dhe shokët e tij, me arrestimet, burgimet dhe internimet masive që i ka bërë popullit, në të ardhmen, pas vdekjes së tij, do ta quanin atë diktator të Shqipërisë si Stalinin. Ashtu siç ia bënë diktatorit komunist sovjetik edhe populli ynë do t’ia bënte edhe atij duke ia djegur trupin, veprat si dhe do ta rrëzonin e të shkatërronin të gjitha monumentet e tij”. (origjinali i fjalimit tim sipas process-verbalit gjyqësor). Fjalët e mia të mësipërme, sikur të isha një Profet i Zotit, populli ynë i realizoi më 20 Shkurt të vitit 1991. Në këtë ditë unë isha një ndër protagonistët kryesorë të ngjarjeve të lavdishme të popullit shqiptar për demokraci.

Në sallën e gjyqit, bërtisnin: “Të dënohet me vdekje ky spiun i Perëndimit”

Në sallën e gjyqit ishin më tepër se 1000 veta të caktuar nga Partia Komuniste në Burrel. Në fund të gjyqit tim ushtarak dhe publik me qindra komunistë dhe militantë të tyre tepër të acaruar bërtisnin ndaj meje: “Të dënohet me vdekje ky spiun i Perëndimit”. Ndërsa unë në ato momente tmerri të madh i lutesha Zotit: “O Atë i Shenjtë, Ju ma dhatë jetën dhe po Ju keni të drejtë të ma merrni atë dhe jo këta komunistë të mallkuar. Unë nuk jam mëkatar sepse demaskova Komunizmin, që keqtrajtonte popullin tim sikur të ishte skllavi i saj ndërsa Shqipërinë të rrethuar me tela me gjemba e kishte bërë si një burg të madh në mes të Evropës”.

Më pas shumë prej tyre më qëlluan me vezë dhe domate të prishura duke më ofenduar dhe duke më pështyrë shumë rëndë. Në ato momente tepër dramatike m’u kujtua skena e tmerrshme e gjyqit ndaj Jezu Krishtit. Unë, i frymëzuar nga kjo gjë, bëra kryqin me dorë para popullit të irrituar dhe iu luta Jezu Krishtit në gjuhën angleze: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!”. Pastaj, për të ngritur lart moralin tim, këndova me zë tepër të ulët meloditë e disa këngëve të Legjendave të famshme të Rock and Roll-it të viteve 1960 – 1970 si këngën “Let’s Tëist Again”, “Tutti Frutti”, “Hey Tonight” e të tjera.

Gjyqi im bëri bujë dhe jehonë të madhe në Shqipëri, sepse regjimi komunist më akuzoi mua si një ndër armiqtë më të rrezikshëm të Partisë Komuniste dhe të Popullit në atë kohë. Ndërsa Sigurimi i Shtetit shpifi për mua dhe familjen time edhe për të gjithë të burgosurit politikë sipas parimit komunist: “ Shpif, shpif dhe vetëm shpif për këto armiq sepse diçka do të ngeli sikur të jetë e vërtetë”. Partia Komuniste urdhëroi Policinë mbas gjyqit tim që unë të qëndroja përsëri i vetmuar në qelinë time të nëndheshme dhe jo në burg. Sigurimi i Shtetit dhe Policia Komuniste për tre muaj të tjerë pas gjyqit nuk i tregoi familjes për vendndodhjen time tepër sekrete, në mënyrë që të realizonin planin e tyre të fshehtë dhe tepër mizor për vdekjen dhe zhdukjen e trupit tim si qindra viktima të tjera të pafajshme.

Plani i Sigurimit për të dënuar dhe babanë tim, si “agjent britanik”

Edhe plani tjetër tepër djallëzor dhe kriminal i Sigurimit të Shtetit që të më akuzonin dhe të më dënonin përsëri mua dhe babain tim të paralizuar rëndë me dënimin më të rëndë dhe me vdekje gjoja si agjentë të mundshëm të Zbulimit Britanik, dështoi me turp. Këtë e vërtetojnë tani dokumentet e vjetra shtetërore dhe sekrete të asaj kohe. Ky është një ndër krimet më mizore të Komunizmit në botë. Vuajtjet e mëdha në qeli dhe lëndimet nga torturat e xhelatëve komunistë më mësuan të luftoja për jetën e të mos dorëzohesha. Ndërsa dhimbjet e pabesueshme që ndieja në trup më mësuan të bëhesha i fortë. Kjo për arsye se përballja me vdekjen e bën njeriun më të guximshëm për të kaluar këtë situatë tepër të vështirë të jetës. Prandaj, për t’i përballuar dhimbjet e padurueshme të trupit nga torturat e tmerrshme gjatë seancave të hetuesisë, kur më çonin në qelinë e nëndheshme, ashtu i dërrmuar, i rraskapitur dhe mjaft i lodhur, gjeja forcë dhe kurajë që krahas lutjeve të mia ndaj Zotit për ndihmë shpirtërore, edhe të këndoja meloditë e këngëve më të mira të këngëtarëve të famshëm të Rock’n’Roll-it të bandave muzikore të The Beatles, të The Rolling Stones, The Creedence Cleanëater Revival, të Elvis Presley (Family), Chuck Berry (Family), Fats Domino (Family), The Little Richard, Chubby Checker, Jerry Lee Leëis, Tom Jones, Aretha Franklin (Family) dhe shumë këngë të tjera të famshme italiane.

Këta Legjenda të Rock and Roll-it ishin si ylli i jetës dhe si gjaku i shpirtit tim. Këngët e tyre ishin si kura më e mirë për dhimbjet e trupit tim. Shpesh, kur këndoja, përpiqesha, ndonëse me mjaft vështirësi, të kërceja lirshëm vallëzimin e Rock’n’Roll-it dhe të Tëist-it në qelinë e nëndheshme. Në ato momente, kur mbyllja sytë ëndërroja dhe më dukej vetja sikur isha në botën Perëndimore, në Londër, Las Vegas apo Neë York dhe sikur këta këngëtarë ishin para syve të mi. Kriminelët komunistë ma kishin shndërruar qelinë time të nëndheshme si një sarkofag apo arkivol të madh ku ata, ditë e natë prisnin me padurim vdekjen time në mënyrë tepër mizore.

Errësira e qelisë më shkaktoi miopinë e syve. Uria e tmerrshme disa mujore; mungesa e rrobave të trasha, të çorapeve, e ndërresave dhe e batanijeve dhe e dyshekut, si dhe i ftohti i madh më shkaktuan sëmundjen e Skorbutit dhe të mishit të dhëmbëve (Paradontoza) dhe të Reumatizmit. Uria ime e jashtëzakonshme ishte aq e madhe saqë unë ëndërroja shpeshherë sikur të kisha para vetes një pjatë të madhe plot me biftekë viçi dhe me patate të pjekura. Pasi t’i haja ato si i babëzitur, unë le të largohesha nga ky vend i mallkuar komunist duke vdekur i ngopur dhe i qetë për në botën tjetër të nëndheshme, ndërsa kriminelët komunistë do ta zhduknin varrin tim.

200 ditë në qelitë e nëndheshëme të Burrelit!

Unë ndenja i vetmuar afro 200 ditë në qelinë më të keqe të Djallit Komunist në botë dhe gjithashtu isha në prag të çmendurisë prej vuajtjeve të pafundme, ku vdekja ishte më e ëmbël se jeta. Gardianët e Policisë kur më shikonin mua në qeli që falesha dhe këndoja në gjuhën angleze, ata informonin oficerët e tyre eprorë sikur unë isha i çmendur. Unë jam i mendimit që çdo njeri në botë do të kishte preferuar të bënte burgim të përjetshëm apo të vriste veten e tij sesa të kalonte kalvarin e gjatë të vuajtjeve të mia të pafundme dhe të tmerrshme gjatë kohës së paraburgimit.

Për pasojë, më ranë 7 dhëmbë ndërsa shpeshherë gjatë ditës dhe natës i kisha sytë të përlotur. Pothuajse në vitin 1970 unë pashë në televizor një film artistik amerikan për ngjarjet e tmerrshme të jetës së një murgeshe dhe të një Kapiteni të Forcave Ajrore Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët arritën të mbijetonin për një vit në xhunglat e dendura në një ishull të Oqeanit Paqësor, të pushtuar nga ushtria japoneze si pasojë e rrëzimit të një aeroplani ushtarak amerikan.

Ata të dy çdo ditë luteshin para një kryqi të madh prej druri të vendosur në shpellën e tyre. I ndikuar së tepërmi nga ky film unë me anë të këtyre shtatë dhëmbëve të rënë gërvishta dhe bëra një kryq të madh te muri i qelisë sime. Çdo ditë dhe natë unë falesha para kryqit në gjuhën angleze duke iu lutur Zotit të më ndihmonte të shpëtoja dhe të mbijetoja nga ferri komunist dhe vdekja mizore. Unë me sy të përlotur dhe duke u dridhur nga të ftohtit e madh i lutesha Zotit si dhe duke përfytyruar në shpirtin dhe në mendjen time portretin e Jezu Krishtit.

Shpresa dhe frymëzimi që më mbajti gjallë në ferrin komunist

Kjo më kujtoi shprehjen e famshme “Kush shpreson, ai jeton”. Kjo për arsye se unë, duke iu lutur Zotit dhe duke kënduar këngë angleze dhe amerikane të Rock and Roll-it si dhe këngë italiane, mundohesha me çdo mënyrë të mbijetoja. Kjo për arsye se kushtet e jetesës time në qelinë e nëndheshme të paraburgimit ishin ndofta tre here më të këqija se kushtet e të burgosurve në Kampet të Përqëndrimit të Auschëitz (Poloni) dhe të Buchenëald (Gjermani). Aty ishte ferri më i keq i Komunizmit në Shqipëri, në Evropë ndofta edhe në botë. Edhe macja po të qëndronte vetëm në qelinë time 24 orë do të çmendeshe. O Zot, por unë çfarë isha?

Kafshë apo qenie eksperimentale njerëzore për këta xhelatë të ndyrë komunistë? Koha tregoi se diktatura komuniste dhe ajo naziste së bashku me atë fashiste edhe me Imperializmin japonez ishin të njëllojta si vëlla e motër me njëri-tjetrin për sa i përkiste krimeve më mizore ndaj Njerëzimit. Secila nga këto dy diktatura famëkeqe shkaktuan mbi 100 milionë viktima të pafajshme në mbarë botën. Hyra në këtë qeli me peshë trupore 78 kg. dhe dola prej saj 43 kg. sikur të isha një kufomë e gjallë prej kocke e lëkure dhe me fytyrë si të djallit. Këto ishin vuajtje të tmerrshme, të cilat e çonin njeriun në prag të vdekjes së sigurt. Për fat të mirë unë i mbijetova krimeve më çnjerëzore të diktaturës komuniste në Shqipëri falë ndihmës të Zotit dhe të Legjendave të Rock and Roll-it si dhe të gjuhës angleze. Ndofta në botë unë theva normat e durimit njerëzor dhe të mjekësisë botërore që shpëtova nga çmenduria dhe vdekja e sigurt. Kjo është arsyeja që libri im ka si titull shprehjen e mësipërme, duke më kujtuar edhe babanë tim, Reshitin, i cili gjatë gjithë jetës më thoshte: “Një popull që nuk hap gojën për vuajtjet e veta, është i detyruar të humbasë lirinë”./Memorie.al

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kronike

EMRAT/ U arrestuan për shpërthime me eksploziv, zbulohen lidhjet e shqiptarëve me “kokat” e mafies greke

Disa ditë me parë, policia greke arrestoi 3 shtetas shqiptarë të dyshuar për dy shpërthime të fuqishme eksplozivi në një karburant dhe një kantinë vere në Athinë që shkaktuan dëme të shumta materiale.

Për ngjarjen në karburant u identifikuan si autorë Geni Çato, 37 vjeç nga Përmeti dhe Evis Shyti, 40 vjec, ndërsa për atë tek kantina e verës u identifikua Kristo Xhixho, 35 vjec nga Durrësi dhe një shtetas rumun.

Bashkë me ta u arrestua edhe një shqiptar i katërt, mik i Xhixhos, i identifikuar si Aristotel Stefanidhi, 23 vjeç nga Këlcyra, i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Mediat greke kanë zbuluar së fundmi lidhje të tyre me krerë të mafies greke që veprojnë në fushën e gjobvënieve dhe vrasjeve.

Të paktën dy nga katër shqiptarët që ranë në prangat e policisë greke janë njerëz të besuar të tre “kryekumbarëve” të Athinës, të cilët janë ekzekutuar në shtatë vitet e fundit. Në fakt, njëri prej tyre, famëkeqi Kristo Xhixho, i ashtuquajturi “bombardues i kantinës së verës”, është akuzuar si huligan i deklaruar i klubit “Olympiakos” në Pagrati, ndërsa bashkëkombësi i tij Evis Shyti apo “Boukouvala”, anëtar i bandës rivale, është akuzuar për bashkëpunim në një vrasje.

Shyti po ndiqet penalisht për shpërthimin e madh që ndodhi në një karburant në Pire, më 08.03. 2024. Megjithatë, siç zbulon “Espresso”, të shtënat më 23.03.2024, në premierën e shfaqjes së këngëtares së famshme greke Katerina Lioliou në lokalin e rinovuar të natës “LUX Athens” në rrugën “Syngrou”, nuk ishin përfundimisht një mesazh “mbrojtje-shantazhi” ndaj pronares së lokalit të natës, por një atentat i dështuar ndaj një “kumbari” 53-vjeçar, i cili sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte larguar nga lokali i natës pak minuta më parë.

Bashkëpunëtori-motoçiklist, i cili ndodhej në “vëzhgim” aty pranë, transportoi të armatosurin dhe është njoftuar nga brenda për largimin e “kumbarit”. Por ai nuk e kapi dot, e megjithatë qëlloi dy herë me kallashnikov në fasadën e klubit të natës. Dhe kjo, sipas organeve kompetente, është bërë si një justifikim “i mirë” për porositësin 54-vjeçar, i cila është një i burgosur dhe nuk gabon kollaj.

Madje i pranishëm në vendngjarje ishte edhe shqiptari Kristo Xhixho, i cili është krahu i djathtë i “kumbarit” 53-vjeçar dhe që qëndroi për pak kohë në vendngjarje pas të shtënave edhe pasi “udhëheqësi” i tij ishte larguar tashmë. Xhixho, i njohur për zhvatje dhe grabitje, u kap të martën në Nea Smyrni së bashku me bashkëpunëtorin e tij shqiptar, duke pasur në grupin e tyre edhe rumunin Antonis Karapasias. Ata janë bashkëpërgjegjës për shpërthimin e ndodhur në kantinës e verës së pronarit të një dyqani buzuqesh më datë 11.03. 2024 në A. Panto 7, paralel me rrugën “Syngrou”.

Në fakt, siç zbulon “Espresso”, nga dosja hetimore, takimi i përbashkët pak minuta para dhe pas vendosjes së bombës në kantinën e verës, ka qenë në parkingun e “YTON The Music Shoë” në “Petrou Ralli”, ku vitet e fundit shfaqet këngëtari i famshëm grek Nikos Vertis, i cili sigurisht nuk është i përfshirë në ngjarje.

Pyetja e madhe e policisë së Athinës është se kush e dinte se “kumbari” 53-vjeçari do të ishte në lokali ku performonte Katerina Lioliou, lokal që autoritetet e lidhin me të njëjtën pronësi të kantinës së verës. Shqiptari Evis Shyti që së bashku me bashkatdhetarin e tij Geni Çato vendosën bombën në pikën e karburantit në rrugën “Skylitsi” në Pire, ishte shoqëruës i parë i kumbarit të natës Manolis Karagiannis, i vrarë më 27/6/2018, në orën 10 në mëngjes, në P. Faliro.

Karagiannis, i cili pati një armiqësi të ashpër me “Kumbarin e Kumbarëve” Vassilis Stefanakos, konsiderohet nga autoritetet si krimineli famëkeq që qëndron pas vrasjes së oficerit në pension të forcave speciale EKAM, Spyros Papachristou. Shyti përdor pesë pseudonime të ndryshme, si emri përshembull mbiemri Buokouvalas, dhe akuzohet për “bashkëpunim në vrasje”, por edhe “bashkëpunim në tentativë vrasje”.

Shqiptari Geni Çato i përkiste grupit të kryekumbarëve të vrarë Vasilis Grivas dhe Giorgos Litsa. Shyti dhe Çato u kapën pas një operacioni të koordinuar nga Departamenti i Zhvatjeve, mesditën e datës 29.04.2024 duke ecur në këmbë në trotuarin e Universitetit Panteion.

Dosja “e zbrazët” për urdhëruesin e vrasjes së gazetarit grek Karaivaz

Siç zbulon “Espresso”, në bandën rivale 35-vjeçari shqiptar Kristo Xhixho është deklaruar zyrtarisht si menaxher i një tjetër karburanti që i përket grekut “K”, i cili figuron si pronari zyrtar i pikës së karburantit në Pire ku ndodhi shpërthimi i parë.

Xhixho dyshohet se i përket grupit të kryekumbarit që doli nga burgu tre muaj më parë dhe që është përfshirë në një dosje ku është “fotografuar” si “autor moral” i vrasjes së gazetarit Giorgos Karaivaz më 9.4.2021. Në prill 2023, Policia e Athinës njoftoi arrestimin e dy vëllezërve grekë nga Keratsini si vrasësit e gazetarit, të cilët mbetën në paraburgim.

Sa i përket “autorit moral”, megjithatë, nuk ka pasur një konstatim thelbësor, për këtë arsye jo vetëm që nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj tij deri më sot, por ai është liruar pasi ka kryer tashmë dënimin si drejtues i një grupi të vjetër të bodyguardëve të natës. Xhixho është akuzuar më parë për shkelje të ligjeve sportive, fishekzjarrëce dhe armëve, si anëtar aktiv i shoqatës së “Olympiakos” në Pagrati. Në të dyja shpërthimet nuk ka pasur lëndime të personit, ndërsa bombat përbëheshin nga një sasi e madhe lënde shpërthyese, një detonator i zakonshëm dhe një fitil me djegie të ngadaltë. Mirëpo, ka shkaktuar bujë veprimi i autorit për të spërkatur motoçikletën e tij me një sprej të posaçëm për të fshirë çdo gjurmë ADN-je dhe gjurmë gishtash. Në fakt, veprimi i tij është “kapur” nga kamera e një dyqani.

Mirëpo, në lidhje me kantinën e verës, nga hetimet nga pamjet e kamerave u zbulua se makina e autorëve, “Peugeot” 3008, në pronësi të një kompanie qiradhënieje, pak kohë para shpërthimit, është nisur nga lokali i natës “YTON The Music Show”, që ndodhet në rrugën “Petrou Ralli 38” Aegaleo.

Në itinerar është përdorur një motoçikletë, e cila pas shpërthimit është parkuar pranë shtëpisë së bashkëpunëtorit rumun në Aegaleo dhe menjëherë pas kësaj e njëjta makinë është nisur sërish, duke përfunduar sërish në “YTON The Music Show”.

Në banesën e Kristo Xhixhos u gjetën një sërë shënimesh të shkruara me dorë, me  shënime biznesesh, shuma parash si dhe emra dhe numra telefoni. Në posedim të bashkëpunëtorit të tij shqiptar Aristotel Stefanidhi, u gjet një pistoletë ZASTAVA 7.65, me karikator me tre gëzhoja, si dhe dy targa false.

Ky i fundit është i dënuar për pjesëmarrje në një bandë që kryente grabitje seriale, të njëpasnjëshme dhe në bashkëpunim, tentativë grabitje në bashkëpunim, grabitje dhe dëmtim trupor me bashkëpunim, për substanca narkotike dhe dispozita të tjera si dhe pastrim i produkteve të veprës penale dhe financimit të terrorizmit dhe dispozita të tjera.

Continue Reading

Kronike

Motori del nga rruga/ Turisti çek dërgohet në gjendje të rëndë tek Trauma

Një aksident automobilistik është regjistruar këtë të shtunë në Mirditë.

Autoritetet policore raportojnë se motori me drejtues shtetasin çek R. K., 46 vjeç dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në fshatin Bukmirë.

46 vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, për asistencë të specializuar mjekësore. Raportohet se ai aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Continue Reading

Kronike

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, makina përfundon mbi trafikndarëse

Një aksident ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Qendrës Tregtare, QTU.

Një trajler është përplasur përplasur me një makinë, e cila ka përfunduar mbi bordurën e rrugës.

Nuk raportohet për dëme në njerëz.

Continue Reading

Kronike

Skema si shpërndahej droga në Tiranë/ ‘Call Centeri’ në Laprakë merrte…

Detaje të reja nga operacioni “Tempulli 3”, i ndërmarrë më 2 maj 2024 nga Antidroga e Tiranës.  Zbardhet skemën si funksiononte, nga momenti kur merrej porosia në një banesë në Laprakë e cila funksiononte si Call Center deri tek dorëzimi i dozave me taksi në destinacion.

Tre persona punonin si operatorë në një dhomë në Laprakë ku përmes një numri celulari merrnin porositë. E ngjashme me call centerin dhe linja ishte e hapur 24 orë.

Pas porosisë malli mbërrinte te konsumatori përmes shoferëve të taksive, të cilët i shfrytëzonin ato jo vetëm për transport udhëtarësh, por edhe droge.

Në mesin e të arrestuarve janë të paktën 3 taksistë.

E ndërsa porositë bëheshin përmes numrit celular, anëtarët e grupit komunikonin mes tyre përmes aplikacionit Signal. Malli ruhej nëpër shtëpi me qira, të cilat ishin marrë nga ana e pjesëtarëve të grupit.

Deri tani janë 25 persona të arrestuar dhe 10 të tjerë u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit “Tempulli 3” në Tiranë. Në krye të grupit dyshohet të jetë Enea Sulejmani, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës arrestuar mbrëmjen e 21 marsit 2024 pas tentativës për t’iu larguar agjentëve të Antidrogës duke tentuar t’i shtypë me makinë në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë pasi në makinë ishte me 1 kilogramë kokainë.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë, 100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 27 telefona celular të markave të ndryshme dhe 5 automjete të markave të ndryshme”, tha dje drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj në një konferencë për median.

Të arrestuar në kuadër të operacionit ‘Tempulli 3’ me 2 maj 2024
1- Rei Ramushi
2- Emiljano Birja
3- Abdullah Zyberi
4- Albjo Shkira
5- Kevin Nazari
6- Amarildo Jashari
7- Florjan Çepa
8- Ibez Zebi
9- Florjan Miha
10- Erol Bardhoshi
11- Andrin Bajraktari
12- Emiljano Maksutaj
13- Hamza Firi
14- Albi Bulku
15- Maringlen Kolaj
16- Armando Disha
17- Klodjan Lena
18- Altmir Mustafaraj
19- Gentjan Agaj
20-  Flori Lime
Masa e arrestit burg iu komunikua në qeli me 2 maj 2024
21- Envis Gorellari
22- Fatjon Çiçi
23- Enea Sulejmani
24- Igli Begaj
25- Shkëlqim Ostreni

ÇFARË U SEKUESTRUA me 2 maj 2024? 
3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë
50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë
100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis
27 telefona celular të markave të ndryshme
5 automjete të markave të ndryshme

Continue Reading

Kronike

‘Do të tregoj atë që kam vuajtur’/ Zbardhen bisedat e viktimës Etleva Bodi më bashkëshortin që e vrau

Autoritet italiane kërkojnë burgim për shqiptarin, Selami Bodi i cili vrau në tetor të vitit 2023 bashkëshorten e tij Etleva Bodi. Ngjarja e rëndë ndodhi në Savona të Italisë, ndërsa çifti ishin prindër të katër fëmijëve të mitur. Mediat italiane bëjnë me dije se prokurori Giovanni Battista Ferro ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bodin.

“Bodi duhet të shpallet përgjegjës për të gjitha faktet e regjistruara ndaj tij”, tha prokurori Ferro.

Gjatë hetimeve, policia zbuloi bisedat e çiftit falë analizave të celularëve dhe u provua se viktima kishte qenë pre e dhunës edhe në të shkuarën. Mësohet se Etleva i kishte dërguar me mesazh Bodit më 3-4 tetor 2023, 3 lidhje në tre video në YouTube në gjuhën shqipe me lutje dhe monologje që fokusoheshin tek “si të jesh burrë i mirë në fenë myslimane, të respektosh gruan e të mos e poshtërosh” dhe për “si ta trajtoni mirë gruan tuaj”.

Prokurori Publik është ndalur në disa mesazhe, në të cilat Etleva ka thënë “Unë do të tregoj atë që kam vuajtur, sepse më ke rrahur vazhdimisht”; “Më dërgove në spital dhe vazhdova të duroja”; “Më mirë të vdisja.”

Sipas asaj që doli në dëshmi gjatë fazës së gjykimit, ai e kishte mbajtur Etlevën larg familjes së saj dhe me radikalizimin islamik nuk i lejonte praktikisht asgjë edhe për sa i përket mënyrës së veshjes (për dy vjet që kishte nuk ishte në gjendje të përdorte celularin e saj). Pas konkluzioneve të prokurorit Ferro, ndërhynë avokatët mbrojtës të Selami Bodit, të cilët kërkuan rrethana lehtësuese.

Si ndodhi ngjarja?

Gruaja ndodhej në dhomën e saj dhe po fliste në telefon. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në fyt duke u përpjekur ta mbyste. Më pas, kur kuptoi se 31-vjeçarja nuk merrte më frymë, ai vetë bëri thirrje për ndihmë. Katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç, po flinin në dhomat e tyre. Pas mbi një orë përpjekje, punonjësit e shëndetësisë që kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje kanë arritur ta ringjallin gruan, por gjendja e saj ishte kritike. E transferuar në spital me kodin e kuq, zemra e saj pushoi së rrahuri pas 48 orësh. Bashkëshorti i viktimës, pa precedentë penalë, u transferua në burgun Marassi (Xhenova), i akuzuar për vrasje të rëndë për shkaqe të parëndësishme. Ai do të merret në pyetje në ditët në vijim.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING