Kronike
U shtir si vajzë, shqiptari i zhvat 18 mijë euro italianit
Një 41-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Ervin Sopi është vënë në pranga nga autoritetet italiane pasi akuzohet se ka mashtruar një person dhe i ka marrë 18 mijë euro. Mediat italiane shkruajnë se shqiptari kishte bashkëpunuar me dy persona, një nigerian 48-vjeçar (i cili u vetëvra dy ditë më vonë në burgun e Foggia) dhe Leonardo Rodriquens, 29-vjeçari nga Manfredonia.
Të tre, për 10 muajsh rresht kishin mashtruar një burrë me banim në provincën e Foggia. Ishte i mashtruari ai që bëri denoncimin në momentin që shqiptari dhe dy miqtë e tij do shkonin të merrnin paratë tek shtëpia e tij.
Shqiptari dhe dy bashkëpunëtorët kishin hapur një adresë në “Messenger” me emrin e një vajze shqiptare. Duke u shtirur si vajzë, ata i kërkonin herë pas here para italianit me argumentin se kishin vështirësi financiare. Fillimisht, ai u kishte nisur 13 mijë euro, por duke mos pasur asnjë takim me ‘vajzën’, vendosi të ndërpriste çdo kontakt. Më pas, nisën kërcënimet nga shqiptari dhe bashkëpunëtorët e tij.