Rajon
U kap në hotel me 14-vjeçaren, shqiptari del para drejtësisë greke
Një 40-vjeçar shqiptar ka dalë para gjykatës ditën e sotme pasi që joshi një vajzë të mitur, vetëm 14 vjeçe, në një marrëdhënie të neveritshme dhe kriminale, e cila përfundoi vetëm kur policia e prangosi janarin e kaluar teksa ishte me të miturën në një hotel në Omonia.
Sipas mediave greke, ditën e sotme, 40-vjeçari i arrestuar në burgjet e Tripolit, është ulur në bankën e të akuzuarve të Gjykatës së Përzier Jurie të Athinës, përballë jo vetëm akuzës për marrëdhënie seksuale me një të mitur nën moshën 14 vjeç, por edhe atë të rrëmbimit.
Sipas provave të dosjes, të publikuara sot nga “Espresso”, “lidhja” e të miturës me shqiptarin, baba i dy fëmijëve në moshën e viktimës dhe që banonte në Elefsinë, ka nisur që kur ajo ishte nxënëse në vit të parë në gjimnaz. Duke e ndjerë se diçka nuk shkonte, nëna e saj kontrolloi celularin e së bijës dhe pa një foto të të dyve në një moment intim, ndërkohë konfirmimin e lidhjes nëna e ka marrë kur ka parë vajzën me 40-vjeçarin në Monastiraki. Ajo i kërkoi me këmbëngulje të largohej nga vajza e saj, duke i thënë se nuk është mirë që të ketë marrëdhënie me një 14-vjeçare, ndërkohë ai duke u shtirur i tha se janë ulur bashkë dhe se e sheh si fëmijën e tij.