Politike
Berisha: Personi që më goditi është agjent i policisë kriminale
Sali Berisha ka dalë në një konferencë urgjente nga selia e Partisë Demokratike, ku ka folur për sulmin ndaj tij, para nisjes së protestës.
Berisha tha se personi që e goditi, Gerti Shehu, është agjent i policisë kriminale dhe ka punuar për policinë, duke u infiltruar në banda dhe tek besimtarët myslimanë.
Berisha tha se sulmi ka qenë një “akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu”.
Berisha hodhi dyshime edhe për një dokument që e nxjerr agresorin me çrregullime të shëndetit mendor.
“Bëhet fjalë për një agjent të policisë kriminale. Gerti Shehu është kontigjent që futet në rrethet e trafikantëve. Ai ka disa çrregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur.
Zyra e tij, e kishte gati shkresën për t’ua dhënë gazetarëve. Në raste të tilla, këta persona përdoren. Ky i sëmuri kriminal i Edi Ramës, ka marrë rinovim patente në vitin 2022. Si i sëmurë psiqik nuk mund të merrte kurrë patentën.
Ky është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu.
Agresori është me origjinë nga Tepelena dhe jeton prej 20 vitesh në Tiranë. I ka shërbyer policisë kriminale, në rrjetet e trafikantëve dhe në besimtarët e xhamisë.
Burimet e mia të sigurta, ky persona ka funksionuar si agjent i policisë kriminale”, deklaroi Berisha.