Kronike
Vrasja e Edmond Papës, erdhi nga Saranda…
Edmond Papa, i cili u ekzekutua një ditë më parë me 9 plumba në zonën e Selitës, kishte ardhur nga Saranda në Tiranë mesditën e së premtes bashkë me nënën e tij, të cilën do ta dërgonte sot tek mjeku për ta vizituar pasi ishte e sëmurë.
Burime për gazetarin e NTV.AL, pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori ka qenë i mirë informuar për lëvizjet e 49 vjeçarit. Kamerat e sigurisë të zonës dhe jashtë lokalit ku ndodhi vrasja kanë fiksuar momentet kur autori ka qëndruar për disa minuta në këmbë pranë pallatit ku banonte vëllai 49 vjeçarit. Pak minuta pasi ai ulet në lokal, autori futet i vetëm dhe e qëllon me 9 plumba pistolete të llojit Glok. Prej andej largohet sërish i vetëm në këmbë nëpër rrugicat e zonës.
Si ndodhi ngjarja?
49-vjeçari Edmond Papa, u ekzekutua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment autori ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes po në këmbë. Ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, por akoma nuk ka asnjë të dyshuar.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri. Për ngjarjen ka dy pista hetimesh, konflikte të mundshme në Greqi dhe konflikte për pronën. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.