Kosova
Sveçla: KFOR të veprojë, ose do i heqim vetë barrikadat
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar.
Andaj ai tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.
Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e serbëve, të paraqitura për largimin e barrikadave, janë për të arritur qëllime politike.