Kronike
Atentati me snajper/ Arrestohet me urdhër të SPAK, Akil Nerjaku në Durrës
Akil Nerjaku është arrestuar me urdhër të SPAK ndërsa ende nuk dihen detaje të hollësishme. Në shtator të vitit të kaluar ndaj tij dështoi një atentat me snajper në Durrës.
Megjithëse i njohur për forcat e rendit si person me precedentë penalë, Akil (Gentjan) Nerjaku, rezulton i arrestuar vetëm njëherë për armëmbajtje pa leje.
Nerjaku, i cili ka ndryshuar edhe emrin, u prangos nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017 u arrestua në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, që drejtohej nga Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan, 2 armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, automjeti që ata udhëtonin dhe 6 telefona celularë”, sqaronte Policia.
Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. I arrestuari Fierza evidentohet në një raport të Ministrisë së Brendshme, si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012. Ai deklaroi në atë kohë që i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën.
“Pistoletën e gjeta te depozitat e ujit ku po pija kafe me Gentianin. Isha drejtuar për në komisariat për ta dorëzuar atë”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Ndërsa shoku i tij Gentjan Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj. Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun.
Në tetor të atij viti, në pranga përfundoi edhe një oficer policie, i cili akuzohej se kishte favorizuar që Nerjaku të merrte leje për armën e zjarri, pavarësisht se ishte i skeduar si person me precedent. SHÇBA-ja në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit kreu një hetim gati dyjavor për nënkomisar Gj. A, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës.
Ky punonjës ka përpiluar vërtetimin e besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale Gentian Nerjaku, i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë.